Zyrtarët gjermanë bojkotojnë përurimin

19/06/2013 21:50

Në inaugurimin e projektit të KFw-së gjermane në Shqipëri ka rënë në sy mungesa e pjesëmarrjes së përfaqësuesve gjermanë.

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë është mbështetësja kryesore e projektit miliona eurosh, por në aktivitetin inaugurues nuk kishte zyrtarë nga ky vend.

Për këtë fakt ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Mueller – Holtkemper, e pyetur nga Deutsche welle sqaroi se Përfaqësitë e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord, që të mbajnë një pozicion neutral gjatë fushatës elektorale dhe të mos shfaqen në anën e asnjë partie.

“Veç kësaj, ceremonia e inaugurimit është përcaktuar ditën e pardjeshme, në mënyrë krejt spontane dhe pa dijeninë tonë. Njoftimi mbërriti në ambasadë në mënyrë indirekte vetëm pak orë përpara”, tha Holtkemper.

Në parim, vazhdoi shefja e misionit diplomatik gjerman, ne presim të informohemi në kohën e duhur rreth vendimmarrjeve të tilla, pasi në fund të fundit është fjala për një projekt partneriteti, i cili është bërë i mundur në sajë të mbështetjes së qeverisë federale gjermane përmes një kredie të butë prej më shumë se 49 milionë euro dhe vënies në dispozicion të ekspertëve ndërkombëtarë.

Që nga 21 tetori i vitit 1988, në kuadër të bashkëpunimit tekniko-financiar në nivel dypalësh së bashku me kontributin e Gjermanisë në kuadër të asistencës shumëpalëshe, ndihma për Shqipërinë ka arritur në më shumë se një miliard euro.

Top Channel