“Rotacioni të sjellë shtetin e munguar”

19/06/2013 19:40

Ish-presidenti Alfred Moisiu beson se 23 qershori është rasti i ndryshimit të Shqipërisë. Në një intervistë për Top Channel ai thotë se është krijuar tashmë fryma se opozita është pranë pushtetit, por rrotacioni thotë ish-presidenti, duhet të shfrytëzohet për të ndërtuar shtetin e munguar për shqiptarët.

“Rrotacioni duhet dhe do të ndodhë. Uji po nuk u përzje, thotë populli, qelbet. Por unë nuk jam për rrotacion që të ikë njëri dhe të vijë tjetri. Rrotacioni duhet të vijë për të ndërtuar shtetin, për të ngritur gjyqësorin, për të luftuar korrupsionin realisht e jo me fjalë”, ka deklaruar Moisiu.

Duke u ndalur tek proçesi zgjedhor, ish-presidenti e cilëson një handikap të madh mungesën e një KQZ-je funksionale. “Kjo të krijon njëfarë pasigurie. Shpresova se do të kishim një ndryshim, por pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve kokëfortësia e maznhorancës në këtë drejtim është e pashpjegueshme”, ka nënvizuar Moisiu.

Por megjithatë, ish-presidenti sjell në vëmendje 2011-ën, kur KQZ pavarësisht se ishte e plotë, u përdor sipas tij për ndryshimin e rezultatit, ndaj zgjidhja është te masiviteti i votës në zgjedhje.

“Shqiptarët duhet të dalin në votim. Të mos presim të na i zgjidhë Amerika apo Europa problemet, por duhet ta zgjidhë shqiptari me votën e tij”, ka thënë Moisiu.

Në mungesë të pesë votave në KQZ për të çertifikuar rezultatin përfundimtar, ish-presidenti kundërshton ata që deklarojnë se këtë mund ta bëjë Kolegji Zgjedhor.

“Nuk mundet dhe nuk duhet ta bëjë Kolegji. Kjo i takon KQZ-së. Kolegji nuk duhet të pranojë çdo kërkesë që i shkon, pasi ai merret me ankesat pasi i ka shqyrtuar KQZ-ja. Dhe nëse e bën, kjo është një shkelje e rëndë e një institucioni gjyqësor”, ka theksuar Moisiu.

Në emër të Forumit Civil që drejton, ish-presidenti Alfred Moisiu iu apelon partive politike, komisionerëve, por edhe prokurorisë që të bëjë secili detyrën e tij në zbatim të ligjit për të shmangur incidente dhe përplasje, duke iu kujtuar se ata  kanë në doren fatin e vendit.

Top Channel