“Rilindja fryn si stuhi nga Kavaja”

19/06/2013 21:15

“Rilindja do të fryjë si një erë e stuhishme në Kavajë dhe do ta çojë prapa diellit katragjyshin me antiplumb”, deklaroi Edi Rama, në mitingun elektoral të Kavajës.

Në fjalimin e tij, Rama ka deklaruar se, njësoj siç PS çliroi Kavajën dy
vjet më parë nga “çeta që e mbajti nën kthetrat e korrupsionit”, ashtu
ajo do të çlirojë gjithë Shqipërinë më 23 qershor. Rama ka ironizuar
kandidaturat e PD për Kavajën, mes të cilave është edhe ajo e
ish-deputetit të PS, Kastriot Islami.

“Sekretari i Partisë së Punës, Sali Berisha, është bashkuar me punistin Kastriot Islamin, kurse unë jam bashkuar me djalin tuaj, një nga protagonistët e lëvizjes së dhjetorit, Parid Carën. Të gjithë demokratët e ndershëm të Shqipërisë, le të marrin shembull nga demokratët e ndershëm të Kavajës”, tha Rama.

Sipas tij, vetëm Partia Socialiste i jep mundësi Kavajës dhe Shqipërisë
që të rilindin. “Jam i bindur se rilindja do të fryjë si një erë e
stuhishme në Kavajë dhe do ta çojë prapa Diellit katragjyshin me
antiplumb”, ka thënë Rama.

Ai ka ftuar edhe elektoratin demokrat të Kavajës që këtë herë të votojë
majtas, duke përmendur si provë konkrete angazhimin që PS ka pasur në dy
vitet e fundit për qytetin.

“Të votosh për PS do të thotë të votosh për provën e prekshme, për votën
e pastër dhe sot Kavaja është më e pastër se dy vjet më parë”, ka thënë
Rama. “Sot Kavaja është e lirë. Me besimin që do të na jepni më 23 qershor, ne
do bëjmë për Kavajën më shumë se ç’është bërë në 20 vjet së bashku”, ka
shtuar ai.

Rama, në Fier: Saliut ia keni prerë urdhrin e pensionit me kohë dhe me vakt

Më pas, Edi Rama ishte në mitingun përmbyllës elektoral në Fier. Erion Braçe e cilësoi Fierin si kryeqyteti i socialistëve dhe, duke iu referuar pjesëmarrjes, tha se ky është tërmeti 10 ballësh i Rilindjes.

“Duke vendosur shenjën tuaj te numri 29, ju do të vulosni këtë parim për taksimin dhe do të çlironi nga taksat 95% të shqiptarëve. Të gjithë ata, këtu në këtë qytet, apo këtu në këtë qark, që jetojnë me një biznes të vogël, duke u mbështetur te numri 29 do të çlirohen nga taksa e biznesit të vogël, të cilën brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, këta deputetë do ta bëjnë zero. Dhe, po ashtu, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, ne, me këta deputetë dhe falë votës suaj te numri 29, do të përgjysmojmë tatimin e fitimit, duke e hequr përgjithmonë nga qafa e biznesit të vogël taksën e sheshtë. Numri 29 është numri që çliron familjet e zakonshme, që jetojnë në fshat me punën e me tokën. I çliron nga akciza e naftës, nga taksa e qarkullimit të naftës, nga taksat 20% për inputet, nga taksa 20% për makineritë dhe me këta deputetë, duke vendosur shenjën tuaj te 29-ta, ju do të çliroheni nga të gjitha këto taksa dhe do të fitoni, brenda mandatit të parë, të drejtën e pasurisë së patundshme mbi tokën tuaj në fshat”, tha Rama.

Rama i kërkoi fierakëve pjesëmarrje masive të dielën e zgjedhjeve.

“Unë iu jam shumë mirënjohës edhe për diçka këtu në Fier, e dini pse iu jam mirënjohës në mënyrë të veçantë? Sepse në këtë shesh, në këtë qytet, në këtë qark, nuk ka nevojë fare të flasësh për Saliun, se ju Saliut ia keni prerë urdhrin e pensionit me kohë e me vakt. Kanë mbetur edhe katër ditë, edhe katër ditë për të vulosur mbylljen përfundimtare të një historie rrënimi dhe për të hapur kapitullin e një rilindjeje për të gjithë bashkë. Prandaj, secili prej nesh, secili prej jush, në këto katër ditë, nuk duhet të vejë gjumë në sy për të zgjuar deri votuesin e fundit dhe për të marrë deri votën e fundit për Rilindjen, Rilindjen, Rilindjen”, u shpreh Rama.

“29-a është numri që çliron gjithë ato familje që duhet të marrin borxh e
të shesin gjithçka kanë për të marrë kujdesin shëndetësor. Me PS dhe
këtë skuadër ju do merrni shërbimin shëndetësor falas”, ka shtuar ai.

Top Channel