Topi: Zgjidhim çështjen e pronës

17/06/2013 00:00

Bamir Topi vijoi fushatën elektorale në Sarandë ku siguroi qytetarët se
Fryma e Re Demokratike do të zgjidhë cështjen e pronës brenda katër
viteve.

“Eshtë në interesin e qytetarëve shqiptarë që cështgja e pronave duhet të marrë fund. FRD në programin e saj e ka projektuar zgjidhjen e cështjes së pronës, mos ju duket demagogji, brenda katër viteve të mandatit të ardhshem”, tha Topi.

Topi tha se FRD është në politikë për të risjellë në jetë një projekt të harruar nga partitë e vjetra.

“Hidhni votën me datë 23, votoni Frymën e Re Demokratike”, tha Topi.

Mediu: Rilindëm në ‘90

Nga Tirana, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se shqiptarët nuk kanë nevojë për rilindjen e Edi Ramës, pasi ata rilindën në 90-ën, sic u shpreh ai, kur hodhën poshtë diktaturën komuniste.

“Sot flitet për rilindje, por ne rilindëm në vitet 1990, rilindëm sepse u ngritëm të gjithë së bashku, në emër të lirisë, jetës, familjes, Shqipërisë, u ngritëm të gjithë së bashku kundër diktaturës”, tha Mediu.

Idrizi prezanton Tahirin

Gjatë një mitingu elektoral në Tiranë, Shpëtim Idrizi ftoi qytetarët që më 19 qershor të mblidhen në Qafë Botë për inaugurimin e varrezës monumentale në Kllogjer.

“Ditën e mërkurë, shqiptarë nga të gjitha trevat të vinë në rrugëtimin tonë në varrezat monumentale të Kllogjerit, t’i përkujtojmë ata njerëz, t’i nderojmë, të marrim forcë dhe të cojmë përpara një kauz të drejtë”, tha Idrizi.

Topalli: Votoni 44

Numri një i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Shkodër, Jozefina Topalli zhvilloi një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë të këtij qyteti. Zonja Topalli tha se deklarata e kreut socialist Edi Rama se burrat duhet të marrin gratë me vete për t’u ruajtur nga infermieret është e pafalshme dhe fyese për zonjat që kujdesen për të sëmurët.

Më tej, ajo premtoi rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët si dhe rritjen e fondeve për ilaçet, për aparaturat e për shërbime cilësore.

Bode: Taksa e Ramës, e rrezikshme

Në një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ridvan Bode e quajti taksën progresive të propozuar nga Edi Rama, politikë selektive sipas interesave të liderit të opozitës dhe kandidatit për deputet Koço Kokëdhima. Bode tha se kjo taksë do të dëmtojë rëndë biznesin dhe konkurencën e tregut të lirë.

“Kjo është një politike selektive që Edi Rama, me Koco Kokëdhimën do të bëjnë mbi biznesin”, tha Bode.

Shehi: Të përfundojmë punët e nisura

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ishte në Lezhë ku kërkoi votën e lezhjanëve për koalicionin e djathtë, si mënyra e vetme për të përfunduar çdo punë të nisur.

“Kemi detyrimin të mbyllim punët që kemi në dorë, që janë rrugët, urat e aeroportet. T’i shkojmë deri në fund”, tha Shehi.

Majko: 23 qershori, si zgjedhjet e ‘92

Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë, Pandeli Majko zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të komunës së Qesarakës.

Majko deklaroi se këto zgjedhje janë të rëndësishme si ato të vitit 1992, pasi reflektojnë, siç u shpreh ai, ndarjen e një epoke me një tjetër. 

Top Channel