Braçe: Imami, një miliard lekë për PD

17/06/2013 00:00

Partia Socialiste ka denoncuar përmes dokumenteve një rast, sipas saj
flagrant, ku Qeveria ka përdorur fonde publike për fushatën elektorale.

Denoncimi vjen vetem pak dite pas publikimit te shifrave qe tregonin se financat publike kanë hyrë tashmë në krizë për shkak të rënies së të ardhurave dhe rritjes se shpenzimeve nga Qeveria.

“Të gjithë e kanë në vëmendje spotin politik te Ministrise se Mbrojtjes dhe sot u them shqiptarëve që ky spot ka kushtuar 1 miliard lekë të vjetra; vetëm për një muaj fushatë elektorale, vetëm për një muaj fushatë të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Paratë kanë dalë të gjitha nga buxheti i shtetit, i Ministrisë, nga buxheti i Qendrës Kulturore të Ushtrisë në datë 21 maj dhe pastaj janë transferuar në llogari të tjera për të financuar fushatën elektorale të Partisë Demokratike, të Qeverisë të Partisë Demokratike”, thotë Braçe.

Kodi Zgjedhor, përkatësisht neni 84, e ndalon qartësisht përdorimin e fondeve publike për reklama, dy muaj para zgjedhjeve, duke lënë hapsirë vetëm për reklamat informative mbi procesin zgjedhor dhe njoftimet e tenderave.

“Ky është një rast flagrant në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në të cilin thuhet: Institucioneve publike në nivel qëndror dhe vendor, 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, u ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesesit zgjedhor ose njoftime të tjëra të parashikuara nga ligji'”, tha Braçe.

Fondi 1 milionë dollarë ka dalë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në datën 21 maj dhe përmes një zinxhiri të shpejtë transaksionesh, që përfshin disa kompani private është shpërndarë në media. Por opozita thotë se dokumentet tregojnë një fakt më të rëndë, atë që gjysma e fondit është zhdukur nga transaksionet zyrtare.

“Pyetja shtrohet: Po gjysma tjetër ku ka shkuar? Paratë janë paguar të plota.Çfarë po financon gjysma tjetër e këtij 1 miliardi lekësh? Dyshim i madh është që po financon edhe njëherë tjetër veprimtaritë politike të PD-së në një skemë të pastër rryshfetesh brenda për brenda të administratës së shtetit dhe familjes politike dhe mediatike të Sali Berishës”, tha Braçe.

Top Channel