Arrestohen vrasësit e shqiptarëve

17/06/2013 00:00

Karabinierët e Milanos kanë arrestuar dy vëllezër, Mattia dhe Maurizio Archinito, të akuzuar për vrasjen e dy shtetasve shqiptarë.

Ngjarja ka ndodhur më 16 nëntor të vitit të kaluar, kur dy shqiptarët 27 dhe 51 vjeç u vranë ndërsa udhëtonin me biçikleta në Abiategrasso, në zonën e Milanos. Ata u goditën me një breshëri plumbash të shkrehur nga një revole gjysmëautomatike dhe nga një pushkë kalibër 12.

Vrasja u krye shumë pranë kazermës së karabinierëve të cilët ndërhynë urgjentisht, por pa mundur të shpëtojnë asnjërën prej viktimave që ndërruan jetë mënjëherë. Pas hetimesh të gjata e të vështira janë arrestuar dy të rinjtë italianë, 19 dhe 22 vjeç, që duket se kanë vepruar sipas rregullave të mafies siçiliane për të zgjidhur problemet lidhur me kontrollin e territorit të shpërndarjes së drogës.

Gjatë konferencës për shtyp, hetuesit bënë të ditur se përveç kësaj, vrasja e dyfishtë ka pasur edhe arsye raciste. Dy të arrestuarit, me origjinë nga Siçilia dhe të rritur në kushte degradimi e dhune, urrenin shqiptarët në përgjithësi, aq më shumë ata që u bënin konkurrencë në shitjen e lëndëve narkotike në zonë.

Top Channel