Gjatë dy viteve të fundit, që kur nisi ndërtimin, autostrada Tiranë-Elbasan, ishte ndër prioritetet madhore për kryeministrin Berisha.

Dhe rëndësinë e kësaj autostrade që shkurton ndjeshëm nëpërmjet tunelit distancën mes Tiranës, Elbasanit dhe juglindjes së vendit, kryeministri e tregoi kur preu i vetëm shiritin e inaugurimit.

“Tuneli është monument madhështor i një modeli i cili ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës suaj. Ne mbajmë fjalën tonë. Inaugurimi i sotëm është dëshmi e një fjale të dhënë, e një fjale të mbajtur, para jush qytetarë të Elbasanit, para jush shqiptarë”, tha Berisha.

Për kryeministrin Berisha, ndërtimi i kësaj kryevepre infrastrukture, nuk është vetëm një kartë e fortë elektorale, por dhe një fakt tjetër i modelit dhe vizionit që sjell zhvillim për shqiptarët: “Janë të gjitha mbështetje për të gjithë qytetarët, pa dallim, demokratë, socialistë, të paparti dhe unë ju garantoj se siç bashkon Tiranën dhe Elbasanin, ky tunel do të bashkojë shqiptarët ndaj dhe është koha sot më shumë se kurrë të bashkohemi.”

Kur ftoi shqiptarët të bashkohen me Partinë Demokratike, kryeministri nuk përjashtoi as deputetin socialist Ben Blushi, të cilin e ftoi të marrë teserën e demokratëve, sipas premtimit të bërë ende pa nisr ndërtimi i autostradës: “Për t’i dhënë atij mundësinë një herë në jetë të mbajë fjalën e tij, ndaj dhe e pres në seli kur të dojë t’ia dorëzoj teserën sepse ne tunelin e ndërtuam.”

Ndërsa për Edi Ramën, kryeministri kishte një mesazh tjetër, kur foli për sindromin e moshës që ka kapur kreun e opozitës, të cilin e cilësoi si njeri pa ide, të veshur me dëshpërim dhe pesimizëm për shkak të së kaluarës në vitet e rinisë: “Ai u rrit zvarranik në bunker. Unë u rrita zog malesh dhe vazhoj të fluturoj. Ju ftoj të ecim përpara. 7 ditë na ndajnë nga fitorja e merituar. Ta ngremë në lartësinë e këtij tuneli.”

Berisha mbyll fushatën e PD në Gjirokastër

Mbrëmjen e së dielës, kryeministri Sali Berisha përmbylli fushatën elektorale të PD-së në Gjirokastër, ku nuk ka lënë pa përmendur edhe impenjimin e tij të orëve të paradites, inaugurimin e tunelit Tiranë-Elbasan, të cilin e quan një nga kryeveprat e qeverisë së tij.

Berisha u ka bërë thirrje të pranishmëve në miting, që të bashkohen me forcën politike të drejtuar prej tij dhe të votojnë më 23 qershor për përpjekjen tonë, sic e quajti ai, për një Shqipëri të zhvilluar.

Kryeministri ritheksoi edhe njëherë arritjet e qeverisë së tij gjatë këtyre 8 viteve në pushtet, ku vecoi rrjetin rrugor që, sipas tij, është i denjë për një vend të zhvilluar. Ndërsa në 4 vitet në vijim ai premtoi se do të vazhdojë në rrugën e zhvillimit drejt Europës, duke ndërtuar shkollat më moderne, duke ulur taksat dhe duke hapur vende të reja pune.

Berisha nuk ka harruar pa sulmuar edhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i thënë se “me qytetarët e sheshit në Gjirokastër e bashkojnë idealet”. Sipas tij, shoku “mavi” ka një rekord të vecantë, pasi flet shumë, por nuk arrin dot t’i bindë të tjerët.

Top Channel