“KQZ”, Moisiu: Nishani të thërrasë tryezën e partive

15/06/2013 00:00

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i bën thirrje kryetarit të
shtetit të mbledhë kryetarët e partive politike në një tryezë, për të
zgjidhur ngërçin në funksionimin e KQZ-së.

Kur kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, zoti Moisiu shprehet se procesi është në rrezik real. “Nishani të mbledhë kryetarët e partive, se ne jemi mësuar që t’i zgjidhim ditën e fundit çdo gjë. Përgjegjësia qëndron tek partitë politike, PD e PS, por sidomos tek mazhoranca, sepse shkarkimi i Muhos ishte përtej çdo logjike ligjore.

Nuk jam pesimist, por këtë herë, zgjedhjet janë në rrezik real”. Edhe ekspertët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit i bashkohen shqetësimit se çështja e KQZ-së mund të përshkallëzojë problematikën dhe tensionin në proces. Komiteti i Helsinkit, që do të ketë rreth 170 vëzhgues ditën e zgjedhjeve në terren, vëren se listat nuk u publikuan në kohë, zgjedhësit nuk u njoftuan për adresën e qendrës ku votojnë, fushata nisi 6 muaj para në shkelje të Kodit. Gjithashtu, si cenim i procesit, përmendet presioni mbi administratën dhe tonet agresive, por edhe fondet publike të përdorura në funksion të fushatës.

Raporti

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar një raport me gjetjet e problemeve të fushatës, ku renditen disa nga problemet kryesore

që cilësohen si shqetësuese. “KSHH mendon se anëtarët e KQZ janë të detyruar të veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kontekst ne kemi shprehur publikisht mendimin se nuk duhej t’i ndërpritej mandati, para kohe, anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI dhe i emëruar nga Kuvendi, sepse KQZ nuk duhet konceptuar dhe as të funksionojë, në asnjë rast, si organ politik. Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen ligjore dhe të paanshme të tij, siç dhe ka ndodhur realisht. Dorëheqja e tre anëtarëve të KQZ-së dhe mosgjetja e konsensusit politik e ligjor për zëvendësimin e tyre, ka shkaktuar një situatë shqetësuese për KQZ-në, duke e bërë të pamundur marrjen e vendimeve të rëndësishme, që kërkojnë një kuorum dhe shumicë të cilësuar pra, praninë e 5 anëtarëve në mbledhje dhe të paktën 5 vota “pro”. KSHH vlerëson se kjo situatë mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme, e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, certifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet riparuar sa më parë”.

Top Channel