Ndërtimet pa leje në Tiranë

14/06/2013 00:00

Kreu i Inspektoriatit të Ndërtimit, Florenc Hoxha, gjatë aksionit për prishjen e një ndërtimi pa leje në rrugën Don Bosko deklaroi se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, pa bërë selektime.

“Asnjë ndërtim pa leje nuk do të mbijetojë. I bëj thirrje qytetarëve të na ndihmojnë duke na telefonuar në numër pa pagesë. Bashkia është në dispozicion të tyre në çdo orë”, deklaroi Hoxha.

Inspektoriati i ndërtimit nuk ka ende një statistikë se sa ndërtime pa leje do t’i nënshtrohen shkatërrimit, ndërkohë që disa prej tyre janë lënë deri më tani të përfundojnë së ndërtuari.

“Nuk kam kohë të merrem me akuza e fjalë të pavërteta. Po vij nga një shembje që është bërë në zonën e Xhamllikut dhe po vijojmë punën. Për të dhënat statistikore do t’ju njoftojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi Hoxha.

Qytetarë të Tiranës çdo ditë telefojnë në redaksinë e Top Channel duke denoncuar ndërtime pa leje, shtesa pallatesh apo lokalesh, për të cilat Inspektoriati i Ndërtimit nuk ndërhyn për t’i ndaluar.

Top Channel