Zhvendosja e dermatologjisë

13/06/2013 17:10

Shërbimi i dermatologjisë do të zhvendoset në ambientet e spitalit infektiv, duke i marrë këtij të fundit njërin kat.

Ky është urdhëri që i është komunikuar nga shefi i shërbimit të mjekëve të infektivit, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë një gjë të tillë, duke iu drejtuar me anë të një peticioni ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova.

Mjekët thonë se infektivi nuk përballon dot të sëmuret e tij. ”Është një vendim drastik që cënon një aspekt të rëndësishëm epidemologjik që ka të bëjë me veçantinë që kanë të bëjnë ambientet e sëmundjeve infektive, si malarja, gripi pandemik, HIV-i. Për të gjithë këto arsye ne mendojmë që nuk është momenti dhe nuk ka arsye që ky shërbim kaq i rëndësishëm të cënohet, kur nuk cënohen kushtet optimale siç duhet edhe kështu. Nuk ka arsye për një reduktim kaq drastik për shtretërit”, deklaroi Arjan Harxhi, president i Shoqatës së Sëmundjeve Infektive.

Në spitalin infektiv numërohen 70-80 vizita në ditë dhe më shumë në raste epidemish, si gripi, ethe hemoragjike  e të tjera sëmundje infektive, për të cilat ky shërbim nuk ka ambinte të mjaftueshme.

”Implantimi i dermalogjisë në shërbimin e infektivit, në radhë të parë është fizikisht i pamundur dhe fizikisht e çbën shërbimin e infektivit”, deklaroi Pëllumb Pipero, mjek infeksionist.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, i kontaktuar me telefon nga “Top-Channel” shprehet se nuk është vendosur që shërbimi i dermatologjise do të transferohet në ambientet e shërbimit infektiv.

Sipas tij, i është kërkuar “QSUT”-së dhe shefave të shërbimeve të vlerësojnë shfrytezimin sa më të mirë të kapaciteteve me qëllim që aty ku ka hapësira të pashfrytëzuara të zhvendoset shërbimi i dermatologjise për shkak të kushteve të papranueshme në të cilat ndodhet.

Top Channel