Elhaida Dani, zëri i Italisë

31/05/2013 01:10

Edicioni i parë i ‘The Voice of Italy’ u mbyll me triumfin e shqiptares
Elhaida Dani, fituese e çmimit “Artisti i Ri me i Mire” në edicionin e
9-të të ‘Top Fest’, dhënë nga Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha dhe e
Çmimit të Madh po në këtë edicion.

Nje ze qe kumboi fort edhe ne turneun veror ‘Summer Fest 2012’.

Në mbrëmjen finale ajo arriti të marrë mbi 70% të votave të publikut, i cili mundi të shprehë preferencën nëpërmjet televotimit. Që kur hipi për herë të parë në skenën e emisionit ajo befasoi dhe javë pas jave, sfidë pas sfide u bë emri më i përmendur si fituese. Përpara se të zhvillohej finalja në sondazhet e shumë gazetave italiane një ditë më parë në internet, Elhaida kryesonte e shkëputur shumë nga rivalët. Intepretimet e saj u vlerësuan nga specialistët, por u pëlqyen së tepërmi edhe nga një publik i gjerë.

Në 13 javët e emisionit, Elhaida ngjiti me modesti dhe këmbëngulje shkallët drejt fitores e mbështetur nga profesori i saj në emision Riccardo Cocciante, me të cilin duket se ajo do të vazhdojë të bashëkpunojë. Jo rastësisht ai e këndoi në duet me dikë tjetër, pikërisht me Elhaiden këngën e tij të famshme ‘Margherita’, këngë që nuk e ka kënduar kurrë me asnjë këngëtar tjetër që në vitin 1976 kur e ka kompozuar.

Cocciante, i cili dje u falenderua në distancë edhe nga bashkia e Shkodrës, vendlindja e Elhaidës, i dhuroi asaj edhe këngen e re. Një këngë të interpretuar me një mjeshtëri të rrallë nga 20-vjeçarja shqiptare, aq sa vete Riccardo Cocciante i tha : “Të dhashë një gur të çuar të papërpunuar, me ktheve një diamant”.

Elhaida brenda shumë pak kohe ka fituar mbështetjen edhe të publikut italian. Televotimi në finale foli vetë, megjithëse mes atyre dhjetara mijera votave natyrisht që nuk kanë munguar edhe ato të shqiptarëve më banim në Itali. Dhe me falenderimin e saj në shqip menjëherë pas fitores, Elhaida përshëndeti të gjithë bashkatdhetarët e saj kudo që ndodhen.
 

Top Channel