Rama: Do të heqim gjobat elektorale

26/05/2013 00:00

Cdo të dielë deri më 23 Qershor, Edi Rama do të vijojë të takohet me banorët e Qarkut Vlorë ku ai kandidon. Takimet e të dielës së sotme Rama i ka nisur duke u takuar fillimisht me bizneset e vogla në këtë qytet.

Kryetari i PS deklaroi se gjobat e vëna që nga 1 marsi 2012 dhe ato që po vihen do të hiqen, premtoi heqjen të taksës së biznesit të vogël, përgjysmim të taksës së fitimit, krijimin e hapësirave për vende të reja pune.

“Të gjitha gjobat që janë vendosur dhe vazhdojnë të vendosen qysh nga 1 marsi i këtij viti, ne nuk do t’i njohim. Ne do t’ua heqim taksën e biznesit të vogël, do të përgjysmojmë tatimin e fitimit, do t’ju krijojmë të gjitha kushtet që t’ju shtojmë vendet e punës dhe për cdo vend pune që do të hapni, ne do t’ju japim mbështetjen përkatëse”, tha Rama.

Fermerët e fshatit Bratar në bregun e lumit të Vlorës i parashtruan Edi Ramës një sërë problemesh ndërsa, kryesocialisti shpalosi platformën e PS për ta rilindur fshatin.

“Si ka mundësi që ju të mund të votoni akoma Saliun kur Saliu u ka kthyer kurrizin dhe u ka lënë këtu si të ishit në një gropë nga nuk dilni dot kurrë me Saliun? Në gjithë këtë hapësirë të mrekullueshme bukurish dhe pasurish ne do të ndërtojmë mirëqënien. Duam një Shqipëri që të rilindë përmes punës, ndërsa Saliu i ofron popullit një Shqipëri që vazhdon të rrënohet. Betohem këtu: Unë Edi Rama nuk do ta tradhëtoj kurrë Vlorën dhe nuk do t’i tradhëtoj kurrë qytetarët e këtij vendi, do të jem përsëri dhe pas 23 qershorit për t’i kthyer fjalët në vepra”, deklaroi Rama.

Rama: Sistem universitar konkurrues
Kryesocialisti takohet me pedagogë e studentë në qytetin e Vlorës


Duke bashkëbiseduar me studentë dhe pedagogë të Vlorës, kryesocialisti Edi Rama tha se Shqipëria ka numrin më të madh të universiteteve private dhe, si pasojë, qeveria ka bërë zgjedhjen e gabuar, duke mos u përballur me papunësinë. “Duhen shkolla profesionale, që studentët të kenë një zanat”, theksoi ai.

“Ne kemi aq universitete private sa ndoshta mund të kenë shumë vende të marra së bashku. Po ndërtohen disa vepra energjitike dhe nuk ka krah të kualifikuar të punës dhe nuk ka teknikë të mesëm, as kuadro të lartë për t’u përfshirë në këto projekte. Do të bëjmë ato, që do ishin bërë me kohë dhe që nuk janë shpikje, por janë ato që ndodhin në çdo vend normal. Për nxënësit e shkollës së mesme duhet të ketë dy rrugë: universiteti, për ata që e meritojnë dhe që duan të bëjnë studime të larta, dhe zanati për të tjerët. Sfida është kjo, të lidhet universiteti me tregun e punës dhe ekonominë, bazuar në programin tonë të zhvillimit të ekonomisë. Sa më larg të jetë partia nga shkolla, aq më shumë garanci për cilësinë e burimeve njerëzore që rekrutohen si mësues, apo si drejtues”, tha Rama.

Ta bëjmë sistemin universitar konkurrues, ne s’jemi kundër universiteteve private, theksoi Rama, duke premtuar nxitjen e cilësisë në këtë sektor. “Do t’i jepet fund, – tha Rama, – universiteteve private të pa kontrolluara dhe që s’janë akredituar. Do të bëjmë një seksionim të dhimbshëm, por të nevojshëm. Kjo është prioritare”, deklaroi kreu i Partisë Socialiste.

Top Channel