Kukës, Mediu prezanton kandidatët

26/05/2013 00:00

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu gjatë takimit në qytetin e Kukësit, ka prezantuar kandidatët për këtë qark dhe ka bërë thirrje që të votojnë për numrin 45, Partinë Republikane.

“Edi Rama ka filluar të flasë me të madhe për rritjen progresive të taksave. Kjo do të thotë që edhe ato biznese që kanë filluar të konsolidohen në Shqipëri, të falimentojnë, që ëndrra juaj dhe dëshira juaj për të punuar në mënyrë të ndershme, të mos gjejë vend”, tha Mediu.

Veliaj fton emigrantët

Në një sallë të tejmbushur nga qindra emigrantë që jetojnë në zonën e Kallamatës në Greqi, Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj i ftoi emigrantët të votojnë në Shqipëri.

“Që ne të fitojmë bindshëm, është që të gjithë emigrantët që kanë mundësi, të vijnë, të kthehen dhe të bashkëpunojnë për rilindjen shqiptare. Ne kemi gati paketën, platformën, dy herë është rrëzuar sepse PD nuk e kërkon votën e emigrantëve, por sic i thonë asaj fjalës, e treta e vërteta”, tha Veliaj.

“Integrimi varet nga zgjedhjet”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo gjatë takimit që ka zhvilluar në Durrës, tha se integrimi i Shqipërisë nuk varet nga miratimi i tre ligjeve, por nga mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet më 23 qershor.

“Integrimi Europian i Shqipërisë nuk përcaktohet sot nga miratimi i këtyre tre ligjeve ditën e hënë në Kuvendin e Shqipërisë, por përcaktohet në radhë të parë nga mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e 23 qershorit, sa demokratike, sa të lira dhe sa të ndershme do të jenë këto zgjedhje dhe si do të certifikohen?”, tha Milo.

“Bashkojuni Ballit Kombëtar”

Partia e Ballit Kombëtar ka prezantuar kandidatët e saj në Qarkun e Lezhës.

“Rruga dhe prosperiteti i kombit tonë, janë këto ide që duhet të afrojnë dhe bashkojnë njerëzit në partinë tonë, dhe janë pikërisht parimet programore ato që e bëjnë Ballin Kombëtar Demokrat të nevojshëm për të funksionuar në politikën shqiptare ditët e sotme. Ky besim është një farë që lidh përmes erës, që ka zënë rrënjë në shumë qytete, komuna dhe dhjetra fshatra të vendit tonë”.

Top Channel