“Taksat ulen për 95% të shqiptarëve”

24/05/2013 23:30

Edi Rama, gjatë prezantimit në Fushë Krujë të kandidatëve socialistë, Namik Dokle dhe Artur Bushi, tha se “këtu, si asnjëherë tjetër, gjejmë entuziazmin e madh, që sjell energjia e fitores sonë më 23 qershor”. Ky ishte mesazhi i kryetarit të PS, Rama, për biznesin e vogël.

“Duke filluar nga ata që mbajnë familjet e tyre me këto dyqane, në të dyja anët e rrugës dhe në të gjithë rrethin, me furrat e bukës, me ushqimoret dhe dyqanet e shërbimeve, më 23 qershor, të gjithë ju të vetëpunësuarit e këtij rrethi, që jetoni me një biznes të vogël, qofshi socialistë, qofshi progresistë e qofshi demokratë, keni mundësinë e madhe që, duke marrë në dorë fletën e votimit dhe duke vendosur në pak sekonda një kryq te Partia Socialiste, do t’i vini kryqin taksës së biznesit të vogël, ta përgjysmoni tatimin mbi fitimin dhe t’i jepni vetes mundësinë, që të nesërmen të merrni frymë më lirisht e të çoni më shumë lekë në shtëpitë tuaja”, u shpreh Rama.

Rama u ndal edhe në çështjet, që lidhen me legalizimet e pronave dhe taksimin.

“Keni mundësinë, që në datën 23 qershor, në pak sekonda, me një kryq te numri 29 i Partisë Socialiste, t’i jepni vetes dokumentin, që e kthen shtëpinë tuaj në pasurinë tuaj përjetësisht të patundshme. Dua të vazhdoj me ata njerëz të ndershëm, njerëz të thjeshtë dhe të lodhur nga puna rraskapitëse me tokën, në bujqësi, që në datën 23 qershor, në pak sekonda, duke vendosur një kryq aty ku shkruan Partia Socialiste, t’i jepni vetes çertifikatën e tokës. Dua të vazhdoj më tutje me të gjithë ata, që janë të pafuqishëm përballë çmimeve të ushqimeve, me një kryq te Partia Socialiste, bëni zero taksën 20% të Saliut për vezët, qumështin, miellin, vajin dhe bukën. Me një kryq te Partia Socialiste, bëni zero taksën 10% të Saliut tek ilaçet e të sëmurëve, apo të më të moshuarve në familjet tuaja. Me një kryq te Partia Socialiste, në fletën e votimit, të gjithë ata që punojnë me tokën do të bëjnë zero taksën e qarkullimit të naftës, do heqin akcizën e naftës, do të heqin taksën për plehrat kimik, do të përgjysmojnë taksën për farërat dhe fidanët dhe do të financojnë pesëfish bujqësinë e blegtorinë, duke financuar po ashtu me programin e Partisë Socialiste, 160 milionë dollarë për të çuar ujin në çdo parcelë dhe për të mos lejuar më përmbytjen e tokës së bukës. Në fund fare, duke vendosur një kryq aty, ku në fletën e votimit shkruhet Partia Socialiste, çdonjëri nga banorët e këtij rrethi, ashtu sikurse të të gjithë Shqipërisë, që jeton me një rrogë, do t’i ulë vetes taksën mbi fitimin, do të vërë në jetë sistemin tonë të taksimit të ndershëm, që kursen mesatarisht 40 mijë lekë në muaj dhe sjell në fund të vitit më shumë se një rrogë për policët, për infermierët, një rrogë më shumë për mësuesit. Pra, shkurt, me votën për Partinë Socialiste, shqiptarët do të ulin taksat për 95% të njerëzve të këtij vendi”, theksoi Rama.

Top Channel