Rezoluta e PE për median

22/05/2013 01:00

Parlamenti Europian miratoi, në seancë plenare, rezolutën për standardet e lirisë së medias në Europë.

Një raport vjetor do të vëzhgojë ndërhyrjet e qeverive në media, ndërsa pritet të ndryshojë edhe direktiva europiane, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës të gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve duhet konsideruar një sulm kundër lirisë së medias dhe kundër të drejtës së qytetarëve të BE-së për t’u informuar. Standardet bazë, si pavarësia gazetareske dhe ajo editoriale, nuk duhet të mungojnë në asnjë redaksi lajmesh. Është e një rëndësie madhore, që në çdo vend të BE-së të kemi një legjislacion transparent dhe të qëndrueshëm, që do t’i mbronte gazetarët dhe misionin e tyre, si rojtarët e shoqërisë”, tha Renate Weber, raportuese për lirinë e mediave dhe pluralizmin në PE, ALDE.

Raporti i drejton një sërë rekomandimesh Komisionit dhe vendeve anëtare.

“Na duhet transparencë në pronësinë e medias. Duhet të shmangim përqendrimin e tepërt të mediave. Na duhen rregulla kundër konflikteve të interesit, që rezultojnë në ngatërrimin e zyrave politike në kontrollin e kompanive të mediave. Na duhet pavarësi në organet e mbikqyrjes së mediave, gazetarë që të na informojnë të gjithëve dhe politikanë e zyrtarë publikë nën kontroll”, theksohet në rezolutën e PE.

Raporti vjen në përgjigje të konsultimeve të nisura nga Komisioni Europian, mbi lirinë e medias dhe pluralizmin, një e drejtë kjo tashmë ligjore, e përfshirë në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel