Fleta e votimit, PS nr 29, PD nr 43

17/05/2013 00:00

Partia Socialiste do të mbajë numrin 29 në fletën e votimit, ndërsa Partia Demokratike numrin 43.

Shorti i hedhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dha këtë përcaktim për dy partitë më të mëdha në vend, në fletën ku renditen plot 66 forca politike.

Fleta e votimit, që në këto zgjedhje është e verdhë, hapet nga dy parti, që nuk garojnë brenda koalicioneve, dhe mbyllet po nga dy parti, që garojnë të vetme, AK dhe në fund renditet Fryma e Re Demokratike.

Koalicioni për Shqipërinë Europiane , i drejtuar nga Partia Socialiste, në short i takoi të jetë më përpara se koalicioni rival, i drejtuar nga PD, duke i dhënë përparësinë që të jetë më lart në fletën e votimit.

Shorti u parapri nga debati, nëse akti kërkon shumicë të thjeshtë apo të cilësuar. Në kushtet e një KQZ-je të paplotë, është shfrytëzuar një interpretim ligjor për ta renditur fletën e votimit tek aktet e thjeshta dhe jo ato normative, që kërkojnë shumicë prej 5 votash.

Por, përfaqësuesi i PS në institucionin më të lartë zgjedhor, Genc Gjonçaj, kundërshtoi shkeljen e ligjit, sipas tij, për të mundësuar miratimin e këtij akti që, siç tha, do të vijojë të pasohet nga të tjerë, që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe kjo nuk është zgjidhje.

“Transmetojani Parlamentit shqetësimin se KQZ nuk punon dot me katër anëtarë, se ka shumë vendime të tjera, që pritet të vijnë këtu dhe kërkojnë shumicë të cilësuar. Nuk zgjidhet me hilera ligjore”, tha Genc Gjonçaj.

“Po na qahesh për një anomali, që e keni krijuar ju”, iu përgjigj Njazi Kosovrasti.

Fleta e votimit, me një numër tejet të lartë të partive në të, për të evituar rritjen e mëtejshme të formatit, rrezikon të jetë edhe pa shënimet e detyrueshme nga kodi zgjedhor në krye të saj, atë se cilës Qendre i përket dhe cilës ZAZ-je, duke krijuar precedentin e mos-identifikimit të saj, qofte edhe në një kohë të dytë, nëse ka rinumërim të votave.

Ndërsa, më e vështirë është zgjidhja, që do të jepet për qarkun e Fierit, ku për shkak të votimit elektronik, fleta është miratuar më herët me një numer prej rreth 40 partish, që ishin regjistruar deri në atë kohë në KQZ, ndërsa fleta finale përmban 66 të tilla.

***

Hidhet shorti për renditjen e partive

KQZ, koalicioni i majtë i treti, i djathti i katërti

Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur pasditen e së premtes shortin që
përcakton renditjen e partive politike në fletët e votimit të zgjedhjeve
të 23 qershorit.

Në bazë të shortit, dy vendet e para në fletën e votimit nuk u kanë takuar partive të mëdha dhe koalicioneve të tyre, por grupimeve të tjera, konkretisht partisë Lidhja për Drejtësi e Progres dhe Partia Popullore Kristian-Demokrate.

Koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka marrë përmes shortit vendin e tretë në fletën e votimit, e ndjekur nga Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim, në vendin e katërt.

Dy subjektet e reja politike, Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike kanë zënë respektivisht vendin e pestë dhe të gjashtë në renditje.

Gjatë mbledhjes KQZ ka miratuar gjithashtu kërkesën e misionit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR për akreditimin e vëzhguesve në proçesin elektoral.

Para se të hidhej shorti, mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës pati debate, me këta të fundit që kundërshtuan funksionimin e KQZ-së me katër anëtarë.

“Disa herë kemi treguar se KQZ e ka të pamundur të veprojë me 4 anëtarë. Hedhja e shortit është një akt normativ”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i PS, Genc Gjonçaj.

“Është detyrim i PS të sjellë emrat e 3 anëtarëve të KQZ. Akti që kemi në shqyrtim është një akt i zakonshëm, që mund të miratohet edhe me 4 vota”, replikoi ndaj tij komisioneri i PD, Njazi Kosovrasti.

Top Channel