I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkura për Irakun, Martin Kobler, tha se pjesëtarët e parë të një grupi opozitar iranian, që jetojnë të strehuar në një ish-bazë ushtarake amerikane në Irak, mbërritën të mërkurën në mbrëmje në Shqipëri.

Sipas tij, ky është hapi i parë i përpjekjeve, për të sistemuar në Shqipëri 210 anëtarë të këtij grupi, për të cilët ka rënë dakort qeveria shqiptare.

Përmes një deklarate, Departamenti amerikan i Shtetit shprehu vlerësimin për qeverinë shqiptare, për xhestin njerëzor, bujar për të pranuar 210 ish-banorët e kampit Hurrija.

“Shqipëria ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara për të sjellë paqe dhe stabilitet në Irak”, shkruhej në deklaratë.

Rreth 3 mijë pjesëtarë, të grupit “Mujahedeen-e-Khalq”, u zhvendosën vitin e kaluar nga shtëpitë e tyre, në veri-lindje të Irakut, për në një ish-bazë ushtarake amerikane të kthyer në kamp refugjatësh, në afërsi të Bagdadit.

Grupi “Mujahedeen-e-Khalq” është kundërshtar i regjimit klerikal iranian. Në të kaluarën, ai ka kryer vrasje dhe shpërthime bombash në Iran, deri sa në vitin 2001 hoqi dorë nga dhuna.

Grupi “Mujahedeen-e-Khalq” luftoi përkrah forcave irakiane të Sadam Huseinit, në luftën e vitit 1980 me Iranin. Disa mijëra prej tyre u strehuan më pas në Irak nga ish-diktatori Sadam Husein.

Top Channel