Nga autobusi i Rilindjes, me të cilin Edi Rama së bashku me 16
kandidatët për deputetë udhëtuan drejt Elbasanit, ai deklaroi se në këtë
qark, koalicioni për Shqipërinë europiane do të realizojë një fitore të
pastër.

Kryesocialisti u shpreh me doza të larta optimizmi kur tha se  “Nuk e ekzagjeroj po të them që në çdo qark i kemi të gjitha mundësitë për të fituar pasi sipas Ramës e majta ka një skuadër shumë të ekuilibruar me eksperiencën e PS-së, me prurje të reja, me rikthime të domosdoshme”.

Kjo ishte përgjigja e Ramës se çdo të ndodhë me koncesionet e dhëna prej Qeverisë Berisha: “Ne do të bëjmë një rishikim të plotë të gjithë koncesioneve, privatizimeve, proceseve që janë karakterizuar nga dyshime të forta ose nga dështime spektakolare. Kemi filluar punën me një grup ekspertësh të huaj që janë për monitorimin e të dhënave dhe të privatizimeve dhe për efektet në ekonomi të praktikave korruptive”.

Ndërsa Ben Blushi që udhëheq listën e PS në Elbasan i dha këtë përgjigje deklarimit të Berishës, i cili e quajti atë faturinon e autobusit të Ramës.

“Autobusi ynë duhet të garojë me një karrocë këtë radhë. E dini cili është ndryshimi i autobusit tonë? Në rastin tjetër Saliu është edhe karrocieri është edhe kali, është edhe kamxhiku, po është edhe balta. Se karroca e tyre ecën gjithë kohës në baltë. Unë jam i bindur që këtë radhë ne do të ecim më shpejt dhe do të shkojmë në stacionin e këtyre zgjedhjeve në 23 qershor shumë me shpejt se sa karroca e Saliut. Kemi një ngarkesë më të lehtë. Kemi një skuadër në të gjithë Shqipërinë shumë më përfaqësuese”, tha Blushi.
 
Rama gjatë konferencës për shtyp shprehu gadishmërinë për të riformatuar KQZ-në të cilën e quajti një organizatë partie fanatikësh. E nëse do të guxojë të ndërhyjë për të prekur rezultatin, tha Rama, aty, sigurisht, që fjala i kalon popullit.

“Ne jemi të gatshëm që ta riformatojmë KQZ-në, ta rikthejmë në ligjshmëri, të marrim pjesë në këtë proces, ku praktikisht jemi prezent në të gjitha nivelet e tjera dhe të bëhemi edhe ne garant, nëse na jepen mundësitë për të ndodhur kjo. Nëse jo, është përgjegjësia e tyre le ta mbajnë. Sigurisht është diçka shumë e keqe për zgjedhjet, shumë e keqe për Shqipërinë, por e përsëris është autorësi ekskluzive e palës tjetër”, tha Rama.

Nuk mungoi edhe një pyetje për Ramën që lidhej me deklarimin e kundërshtarit të tij poltik zotit Berisha për heqjen e vizave me SHBA-në.

“Përsa i përket liberalizmit të vizave me SHBA është një premtim nga ato premtime që është në gjendje t’i bëjë vetëm Saliu, premtime që provojnë në fakt rendjen e dëshpëruar për të arritur aty ku PD nuk mund të arrijë dot, tek një fitore e pamundur duke premtuar gjithçka. E nëse pa filluar akoma 30 ditëshi i fushatës na doli liberalizmi i vizave me Amerikën, besoj që në 30 ditëshin e fundit mund të shkojmë deri tek udhëtimi Tokë- Hënë…”, tha Rama.

Top Channel