Kryeministri Sali Berisha vijoi fushatën elektorale në Fier, ku prezantoi kandidatët për deputetë të këtij qarku, duke u zotuar se ata do të jenë përfaqësues të vërtetë të qytetarëve shqiptarë.

“Jam para jush, për t’ju dhënë fjalën, për t’u zotuar se këta do të jenë përfaqësuesit, jo të Partisë Demokratike, por të çdo qytetari, të interesave tuaja fisnike, të aspiratave tuaja, të halleve, derteve dhe problemeve tuaja”, tha Berisha.

Për kryeministrin Berisha, alternativa e kryesocialistit Rama është alternativa që, siç u shpreh ai, shkelmon interesat e qytetarëve me të njëjtën lehtësi, me të cilën shkelmoi marrëveshjen me partitë e vogla të koalicionit të majtë.

“Shqipëria nuk e mori statusin, sepse kreu i opozitës mori përsipër përgjegjësinë historike të shkelmojë një interes jetik të çdo shqiptari, me atë lehtësi që shkelmon marrëveshjen me Petro Koçin, me atë lehtësi që shkelmoi marrëveshjen me Komisionin Europian, shkelmoi çdo interes të qytetarëve të Fierit, të Myzeqesë, dhe atyre shqiptarë”, shtoi Berisha.

Sipas Berishës, më 23 qershor qytetarët shqiptarë do të dinë të zgjedhin mes dy modeleve, duke zgjedhur të ardhmen e tyre.

“Alternativa tjetër është alternativa e atij, që ka sy, por nuk shikon, që ka veshë, por nuk dëgjon, që mund të prekë, por nuk prek dot. Alternativa e tij, që e shtyn në autobus dhe krijon një botë të paqenë, një Shqipëri të rreme. Në qoftë se këta qytetarë shqiptarë, me mundin dhe djersën e tyre, ia dolën të anëtarësojnë Shqipërinë në NATO, ia dolën të lëvizin të lirë, kjo bën krenar çdo shqiptar”, tha Berisha.

Lista e kandidatëve për deputetë në qarkun e Fierit kryesohet nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Top Channel