Pritjen që qytetarët e Lezhës i rezervuan 8 kandidatëve socialistë, që
garojnë në këtë qark, Edi Rama e quajti si surprizë, pasi siç tha ai, nuk i
prisnim kaq shumë njerëz.

Pjesëmarrjen e lezhianëve gjatë prezantimit të kandidatëve, ku e para në listë është zonja Mimi Kodheli, Rama e komentoi gjithashtu si treguesin e të qënurit pranë fitores të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

“Sot ne jemi gati t’i japim vendit të drejtën e mohuar për 8 vjet rresht për t’u qeverisur nga shumica natyrale e Shqipërisë. Dua të shpreh këtu në këtë shesh të gjithë përbuzjen time për një tradhtar si Gjovalin Kadeli, i cili erdhi katër vjet më parë në Parlamentin e Shqipërisë me votat e socialistëve dhe progresistëve të Lezhës dhe sot katër vjet më vonë u ka kthyer atyre kurrizin, duke dhënë votën vetëm për një karrige druri me katër këmbë që është turpi i përhershëm i tij dhe i turpit të tij në këtë qytet. Megjithatë gjyshja ime, grua shumë e mençur katolike nga Shkodra, thoshte gjithmonë se jo të gjitha të këqia vijnë për keq, e pra me ikjen e atij tradhtari sot Partia Socialiste është më e pastër është më e fortë është më e gatshme për të marrë këtu në Lezhë dhe për të shkuar në Parlamentin e Shqipërisë me 4 deputetë”, tha Rama.

Edi Rama, nga Lezha, artikuloi nevojën e një votimi plebishitar më 23 qershor, pasi siç tha ai, vota e 23 qershorit nuk është një votë për një person as për 7-8 persona, nuk është një votë për të punësuar deputetë, por është një votë për vetveveten, për dinjitetin e personit që sot është i nëpërkëmbur më keq se asnjëherë në këto 20 vjet.

“Nuk është një votë që duhet të qëndrojë e lidhur askund, përveç se tek interesi i kombit, tek interesi i vendit, tek interesi i Lezhës, i Kurbinit, i Mirditës, tek interesi i familjes së çdo votuesi. Socialistët dhe progresistët e Lezhës duhet t’ia tregojnë tradhtarit Gjovalin Kadeli, se nuk janë, siç thoshte ai, delet e tij që i çonte nga të donte dhe se ose do ishte ai aty ku donte ose delet do t’i merrte me vete si të donte dhe për ku të donte, sepse socialistët dhe progresistët, njerëzit e zakonshëm të këtij qyteti, të këtij rrethi dhe këtij qarku mund të jenë të varfër, mund të jenë të papunë, mund të kenë nevojë edhe për bukën e gojës, por nuk ka mëkat më të madh se sa të përpiqesh t’i tërheqësh zvarrë me bukën  e gojës, siç ka 4 vjet që i tërheq Sali Berisha, ose siç kujton se do i tërheqë Gjovalin Kadeli. Kush nuk do falimentimin e dyqanit duhet që në 23 qershor të votojë PS. Kush nuk do që t’i shtohet ushtrisë 1 milionëshe të të papunëve duhet të votojë PS”, tha Rama.

Top Channel