Tenderi 20 mln euro për dixhitalizimin

13/05/2013 20:00

Vetëm pak më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve, Ministria e Inovacionit ka hapur tenderin mbi 20 milionë euro për dixhitalizmin e TVSH-së, i kontestuar ashpër nga opozita dhe i paditur në prokurori prej Partisë Socialiste, si shkelje flagrante e detyrës dhe kushteve të prokurimit.

Në përfundim të proçedurës së dorëzimit të ofertave për ndërtimin e rrjetit dixhital të TVSH-së, përmes një njoftimi për shtyp, ministria bën të ditur pjesëmarrjen në tender të katër kompanive: suedezes “Ericsson”, japonezes “Nec”, kinezes “Huawei”, si dhe kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”.

Në njoftim, Ministria e Inovacionit shprehet se, paraqitja në garë e kompanive me famë botërore në këtë fushë tregon besimin ndaj autoriteteve shqiptare dhe seriozitetin e profesionalizmin e proçedurës.

“Kjo garë është ndërtuar me kërkesa të larta kualifikuese si në aspektin teknik dhe ligjor, ashtu edhe në atë financiar dhe zbatues. Vlerësimet gjithashtu do të jenë transparente dhe me sistem pikëzimi të shpallur në Kërkesën për Ofertë”, thuhet në njoftim.

Por opozita, përmes deputetit Alfred Dalipi ka akuzuar ministrin Genc Pollo se po realizon një tender të paravendosur, po shkel ligjin e prokurorimeve, po anashkalon RTSH, Autoritetin e Mediave Audiovizuale dhe po ndërhyn në pavarësinë e këtyre dy institucioneve.

Opozita argumentoi se ministria nuk mund të realizojë një tender që i takon Radiotelevizionit Publik dhe për më tepër duke shkelur kriteret e barazisë dhe ato për një tender ndërkombëtar. Për këto arsye ajo e dërgoi çështjen disa ditë më parë në prokurori.

“Kemi dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës tyë gjithë dokumentacionin që fajëson dhe bën fajtor ministrin Pollo për të gjithë veprimet e ndërmarra deri tani për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, duke i bërë apel dhe Prokurorisë që të nisë një hetim sa më shpejt për të parandaluar një vepër penale, e cila do të detyronte autoritetet dhe shtetin shqiptar pas kryerjes së tenderit në detyrime financiare”, tha Dalipi.

“Kemi të bëjmë me rastin unik të një gare koncesionare, e cila i jepet për financim, për zbatim, për trajnim, për shtrirje të njëjtës kompani, ndërkohë tenderi është njoftuar që do të mbahet me 13 dhe vetëm katër ditë më pas do të shpallet fituesi dhe brenda dy javëve do të lidhet kontrata. Sigurisht që e gjithë kjo bëhet me qëllimin e qartë që të mbyllet sa më shpejt sepse 23 qershori po vjen se qoftë Pollo, qoftë Berisha nuk do të jenë më në qeverisje pas 23 qershorit”, tha Balla.

Ministria e Inovacionit pretendon se ky tender, që zhvillohet në kuadër të strategjisë së dixhitalizimit, për kalimin e transmetimeve analoge në dixhitale do mbyllet brenda muajit qershor 2015.

Top Channel