Me një mesazh në drejtim të nënës së tij, kryesocialisti Edi Rama ka
zgjedhur t’u drejtohet gjithë nënave në ditën ndërkombëtare të tyre.

“Ti më bëre, ti më ushqeve, ti më rrite duke më veshur, duke më çuar në shkollë, duke më qendruar pranë, duke u kujdesur për mua, duke vënë veten tënde gjithmonë në dispozicionin tim dhe veten time gjithmonë përpara vetes tënde, duke më dhënë dorën që të ngrihem, kur jam rrëzuar, duke më shkulur veshin kur e kam pasur keq. Pa dashur të të kërkoj të mbash fjalim, pa dashur të të përfshij në politikë, do të doja që këtë ditë kaq të madhe e simbolike të ma shkulësh pak veshin”, u shpreh Rama.

“Unë e di, që kam qenë një pikë referimi për ty por, e thënë kështu publikisht, më ke emocionuar shumë. Të dua shumë”, ka thënë nëna e Edi Ramës, Aneta Rama.

“Unë jam e bindur, që askush tjetër nuk e gjen forcën të dalë, madje edhe përtej natyrës së vet, dhe të arrijë e të kuptojë se çfarë është më e rëndësishme. Nënat, këtë dinë ta bëjnë”, deklaroi bashkëshortja e kryesocialistit, Linda Rama.

Lideri i PS-së iu drejtua edhe familjeve të kundërshtarit të tij politik, duke iu bërë një premtim, siç ai tha, për të nesërmen e opozitës së sotme në qeverisje.

“Që nesër ne, në krye të punëve të vendit do të kemi parasysh se familjet e kundërshtarëve tanë, nënat e tyre në radhë të parë, nuk meritojnë të bëhen pjesë e luftës politike”, shtoi Rama.

Rama: Lista jonë më e mira
“Ka dallim mes një biznesmeni dhe një politikani, që bëhet i pasur prej pushtetit”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një udhëtimi drejt qytetit të Beratit, ku do të zhvillonte një takim elektoral, pati një bashkëbisedim me gazetarët.

“Berati për ne është 1 nga zonat, që meriton vëmendje të jashtëzakonshme pas 23 qershorit, pas një keqqeverisje që, si kudo, ka hapur edhe në Berat plagë të rënda”, tha z. Rama.

Ai nënvizoi se duhet një punë e madhe për të rimëkëmbur ekonominë dhe për t’u përballur me varfërinë në Kuçovë dhe Poliçan.

Z. Rama tha se skuadra e PS-së është më cilësore se ajo e vitit 2009. Ai u shpreh se lista e kandidatëve është bazuar në dy nivele, në atë politik dhe atë të nivelit të përfaqësimit, që e bën atë më të suksesshme se lista e PD-së.

Duke komentuar prezencën e shumë bisznesmenëve në listat e PS, kryetari i opozitës theksoi se është deklaruar për partneritet me sipërmarrësit, dhe se përbuz kritikët e kundërshtarët politik, që e tregojnë me gisht këtë komunitet.

Sipas tij, ka një dallim thelbësor mes kandidimit të një sipërmarrësi dhe një politikani, që bëhet i pasur përmes pushtetit. Duke komentuar gjobën, që PS mori pak ditë më parë nga KQZ, pasi nuk ka respektuar kuotën prej 30% të pjesëmarrjes së femrave në listat zgjedhore, z. Rama tha se kjo mbetet ende një sfidë dhe theksoi se PS ishte e para, që hodhi idenë dhe është e vetmja parti, që ka më shumë gra në Parlament.

Top Channel