Pas një periudhe në krizë funksionimi me vetëm katër anëtarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përballet me vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e VNV-ve, vendeve të numërimit të votave dhe komisioneve të votimit.

Shqetësimi për vonesën në përcaktimin e tyre e ka ngritur përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genc Gjonçaj, por që ka hasur replikën e demokratit Njazi Kosovrasti.

“Sipas planit të veprimit, VNV-të duhet të ishin miratuar që në 5 prill 2013 dhe akti me kohë maksimale ka qenë 23 prilli. Mosmiratimi në kohë i këtyre akteve po rrezikon proçesin”, deklaroi Gjonçaj.

“Sillni anëtarët në KQZ. Përse nuk i sillni ata këtu që t’i zgjidhim të gjitha? Edhe po s’i sollët e kemi gati zgjidhjen ligjore”, replikoi Kosovrasti.

Kryetarja e KQZ-së tha se afati ligjor për to në Kodin Zgjedhor nuk ka përfunduar ende, ndërsa është parë si zgjidhje në kushtet e një KQZ-je me katër anëtarë lënia në fuqi e atyre vendimeve nga zgjedhjet e 2009-ës, për të cilat nuk kanë ndryshime në ligjin e ri zgjedhor.

Për vendimet e reja që kërkojnë shumicë të cilësuar pritet të shkojë për vendimmarrje në Kolegjin Zgjedhor, ashtu siç përfaqësuesi i PD, Kosovrasti paralajmëroi kur përmendi se ka zgjidhje të tjera ligjore.

Por kjo do t’i hapë rrugë preçedentit të zëvendësimit të institucionit më të lartë zgjedhor me vendimmarrjen në Kolegjin Zgjedhor të çdo vendimi që kërkon konsensus mes palëve, duke e kthyer KQZ-në në një organ të vendimeve të thjeshta dhe jo administruesin më të lartë të proçesit zgjedhor, siç e përcakton kodi.

KQZ miratoi Partinë Aleanca Popullore, parti e komunitetit çam që është regjistruar në koalicion me PS, pas një debati të gjatë dhe një kundërshtimi fillestar për miratimin e saj, por që pas një pushimi, në mënyrë të papritur u pasua me vendimin për ta pranuar si garuese në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel