“Tre ish-deputetët e PS, në listat e PD”

02/05/2013 00:00

Partia Demokratike do të shpallë të hënën listën e kandidatëve për deputetë dhe, siç konfirmoi kryeministri Berisha në një konferencë shtypi, tre ish-deputetët socialistë, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli, meritojnë të jenë në listën e Partisë Demokratike.

Sipas kryeministrit, merita e tyre qëndron në ndalimin e planit të Edi Ramës për të rrëzuar qeverinë para zgjedhjeve. Edhe disa kryetarë partish aleate do të jenë në listën e demokratëve, ndërsa vetë kryeministri Berisha konfirmoi kryesimin e listës në qarkun e Tiranës.

“Kryetari i prin listes, ai mban flamurin e partisë së tij në betejë. Nuk i jam shmangur kurrë unë kësaj. Nuk jam fshehur, nuk maskohem”, tha Berisha.

Kryeministri komentoi, jo pa ironi, edhe lajmin e kandidimit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në qarkun e Vlorës.

“I ka filluar fobia e listës. Sidoqoftë, në krye apo në mes të listës, unë uroj që të gjejë një vend, sepse duhet që opozita ta ketë kryetarin në parlament. Hija e humbjes e shoqëron kudo. Po pse, nuk do ta shoqërojë në Vlorë thoni ju? Edhe më shumë”, theksoi Berisha.

Megjithëse Ilir Metën e konsideron tani si një nga kryetarët e partive opozitare, kryeministri Berisha la të kuptohet se, duke bërë koalicion parazgjedhor me LSI-në, Edi Rama ia ka bërë garën elektorale edhe më të lehtë.

“I tmerruar nga pozicioni opozitar, besoi se do të shtojë shanset, duke vendsur në krahun e tij një pjesë të qeverisë dhe duke bërë që, në garë të shkojë qeveria e madhe me qeverinë e vogël”, u shpreh Berisha.

Po Bamir Topi a do ta dëmtojë Partinë Demokratike në zgjedhje? Duke thënë se zgjedhjet e 8 majit konfirmuan votën e Bamir Topit për Edi Ramën, kryeministri citoi Shakespeare-in për t’iu përgjigur pyetjes.

“Drama – thotë – është gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska. E ka perkthyer Noli. Ju mund të thoni, që kutia e votimit ishte gracka, ku shpirti i presidentit u kap si laraska”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha bëri edhe një deklaratë surprizë, kur u pyet se rezultatet e 2009-s, siç janë formatuar sot koalicionet, e nxjerrin koalicionin e Partisë Demokratike me 38 mijë vota më pak.

Kryeministri iu referua sistemit aktual, kur tha se 2009-a, megjithë përparësinë e votave të së majtës, i jep koalicionit të Partisë Demokratike 2 deputetë më shumë se atij të Partisë Socialiste.

“Me 2009-n, ne jemi 71 deputetë. Ai i 71-ti është deputet, i partive që nuk ishtin në koalicion me ne, por që tani janë në koalicion, por të garantoj se rritja është e madhe, e ndjej në çdo skaj të vendit”, tha Berisha.

Kryeministri mohoi zërat për presione ndërkombëtare për riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa lënien e vendeve bosh nga opozita e konsideroi një pretekst të Edi Ramës për të mos njohur rezultatin, pas humbjes më 23 qershor.

“Çdo përpjekje për të demonizuar zgjedhjet e shqiptarëve nga zoti Rama dhe cilido tjetër, është qesharake dhe donkishoteske. Nuk ka më inteligjentë se shqiptarët. Është gabim fatal po i mendove ndryshe. Ndaj këtu do jemi, zgjedhjet, do zoti Rama apo nuk do, do të jenë zgjedhjet e standardeve më të mira”, theksoi Berisha.

Berisha: Rama përdor KQZ për pazare

Kryeministri: Zgjedhjet do të mbahen sipas ligjit

Kryeministri
Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se e
përdori tërheqjen e anëtarëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për
pazar dhe për të justifikuar, sipas tij, humbjen në zgjedhjet e 23
qershorit.

Në daljen e radhës para gazetarëve, kryeministri tha se ligji ka parashikuar situata të tilla dhe premtoi se zgjedhjet do të mbahen dhe do të jenë me standardet më të mira që ka njohur vendi.

“Zoti Rama e përdori problemin e komisionerëve për pazar. Pazari më i shëmtuar ishte ai me Jani Janin (anëtar i ngrirë i PBDNJ-së në KQZ). Pse e bënë këtë? E bën për të hapur një vend në listat e deputetëve për kryetarin e partisë së Janit. Pra jo vetëm që nuk ka patur dhe nuk mund të imagjinohet që të ketë asnjë lloj mendje të shëndoshe, por përkundrazi. I bëj thirrje zotit Rama t’u japë fund këtyre lojëra në KQZ dhe të çojë anëtarët në KQZ, në detyrën e tyre. Zoti Rama tërheqjen e komisionerëve e ka si një mjet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve. Ta përdorë si justifikim para zgjedhësve për humbjen dhe të mos njohë zgjedhjet. Rama ka qartësuar të gjitha raportet e tij dhe me qendrimin ndaj KQZ ai edhe njëherë në këtë situatë e krijoi dhe e ka krijuar vetëm për të përdorur si një pretekst për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, sic i deklaroi një grupi të huaj vëzhgues”, deklaroi Berisha.

Kryeministri shtoi se zgjedhjet do të mbahen pavarësisht tërheqjes së opozitës nga KQZ.

“Do s’do Rama këto do të jenë zgjedhjet me standardet më të mira që janë mbajtur ndonjëherë. Kanë një infrastrukturë të shkëlqyer dhe një ligj të shkruajtur në cdo nen të tij nga opozita. Ligji do t’i japë garanci të plotë opozitës, vetëm që unë nuk mund t’i japë komisioner zotit Rama. Ai ka frikë nga komisionerët e tij”, tha Berisha duke cilësuar cdo përpjekje për të prishur procesin zgjedhor si donkishoteske.

Kryeministri tha se synimi i Ramës ishte rrëzimi i qeverisë, skenar ky që sipas Berishës dështoi falë marrëveshjes me tre deputetë të Partisë Socialiste.

“Cdo përpjekje për të prishur zgjedhjet është qesharake dhe donkishoteske. Rama kërkoi rrëzimin e qeverisë dhe formimin e qeverisë teknike, por ka një marrëveshje me 3 deputetë të PS që solli dështimin e përpjekjeve të Ramës”, tha ai.

Për kryeministrin, në cdo rast që do të cënohet mekanizmi i funksionimit të KQZ-së do të zbatohet ligji pikë për pikë. Sipas tij, Kodit Zgjedhor është i shkëlqyer dhe i ka parashikuar të gjitha situatat.

Berisha foli edhe për tre ligjet, duke akuzuar edhe njëherë tjetër kreun e PS-së, Edi Rama se pengoi marrjen e statusit me mosvotimin e tyre.

Sa për listat e kandidatëve për deputet në radhët e demokratëve, kryeministri tha se është duke u punuar për to dhe shtoi se do të ketë ndryshime.

Top Channel