Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar “këndin e fjalës” me komunikimin me banorët e njësisë numër 5, në Tiranë.

I pyetur nga një qytetare, e cila kishte lënë grevën e urisë për të kërkuar ndihmën e kryesocialistit, pasi aktualisht është e pastrehë, Rama sugjeroi që këto familje ta ndërpresin grevën e urisë.

“Kemi dhjetë ditë në grevë urie, na prishën shtëpinë me njerëz brenda, ju lutem bëni diçka për ne. Shpresa jonë jeni vetëm ju, po të lutem si nënë, si motër, bëni diçka!”, kërkoi ndihmë qytetarja.

“E drejta e kërkon, që ata të marrin pronat e tyre, por nuk vendoset një e drejtë mbi një të padrejtë, ajo është e vonuar. Familjet, që janë goditur nga kjo padrejtësi, janë familje që, realisht, nuk kanë të ardhura për të përballuar strehimin gjetkë. Të përpiqemi të gjejmë një strehë solidariteti, për t’i strehuar, dhe pastaj të marrim përsipër angazhimin, që do jetë me një program të posaçëm për të garantuar strehimin e tyre. Ndalojeni këtë grevë urie, se është shpenzim i kotë energjish”, u përgjigj Rama.

Kryesocialisti Rama përdori figurat letrare, për të ironizuar me kryeministrin Berisha.

“Saliu flet për ngjala, se i ka hyrë ngjala kaq thellë, sa ka filluar të duket si ngjalë vet. Dhe, do ta shikoni se deri më 23 qershor do marrë krejt pamjen e ngjalës, për t’i rrëshqitur të vërtetave therrëse të shqiptarëve, që përpiqet t’i mbulojë me një propagandë të shfrenuar, ku flitet për suksese të mëdha imagjinare, që na kanë vënë menjëherë pas Gjermanisë. I duhet edhe një mandat tjetër, që të mundë edhe Gjermaninë në ekonomi, e pastaj ta mundë edhe në futboll. Mund ta mundë Gjermaninë në futboll, me Lefterinë arbitre kryesore, me ata dy të tjerët gardelina dhe me atë të katërtin që çoi, të vëri atje si vëzhgues. Ashtu po, ashtu e shkatërron edhe Gjermaninë, por nëse mund ta mposhti me ata të katërt në futboll, popullin shqiptar nuk do ta mudnë më 23 qershor, edhe sikur t’i mbajë ata të katërt me trajtim të posaçëm, duke i dhënë të hanë ngjala mëngjes, drekë e darkë”, tha Rama.

Edhe në këtë bashkëbisedim me banorët, Rama tha se vota e 23 qershorit do të ndajë këtë sistem nga Rilindja, ndërsa shpjegoi pjesë të programit të Partisë Socialiste.

Top Channel