Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u bëri një apel të fortë Edi Ramës dhe Sali Berishës që të votojnë në seancën më të parë tre ligjet për integrimin, në mënyrë që vendi të marrë statusin kandidat brenda këtij viti.

“Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar, në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shanse që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”, deklaroi kreu i LSI-së.

Për zotin Meta miratimi i rregullores së re të parlamentit, kalimi i ligjit për statusin e nënpunësit civil dhe ai i Gjykatës së Lartë janë tepër të rëndësishëm, ndërkohë që kërkoi hyrjen në fuqi në shtator të ligjit për Gjykatën Administrative nisur edhe nga emërimet e fundit në gjyqësor, të cilat i cilësoi si partiake dhe jo fort profesionale.

“Duke u nisur edhe nga disa nga emërimet e nxituara kohët e fundit në gjykatat më të larta të cilat duken më shumë si emerime me karakter partiak se sa si lëvizje që synojnë pavarësinë e gjyqësorit në propozojmë që të kalohen interesat politike dhe efekti i këtij ligji të nisë në shtator me parlamentin e ri”, tha Meta.

Kuvendi ka vendosur që të mbyllë punimet e kësaj legjislature në 25 maj, çka bën që të mbeten ende edhe tre javë për të mundësuar miratimin e tre ligjeve.

Top Channel