Rrëzohet nga biçikleta, humb jetën 27-vjeçari

30/04/2013 00:00

Një i ri ka gjetur vdekjen në një mënyrë të pazakontë. Ervin Mordini, 27
vjeç, ka qenë duke luajtur me biçikletë pranë shtëpisë së tij dhe gjatë
manovrave është rrëzuar dhe si pasojë e plagës së marrë në zemër ka
humbur jetën.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës, në rrugën “Jashar Erebara” në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se Mordini ka qenë duke luajtur me biçikletën e tij. Gjatë lojës, ai ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar. Biçikleta ka pasur një defekt, pasi në mes të timonit, ajo ka pasur të pamontuar mirë pirunin e gomës së përparme. Pas rrëzimit, pjesa e pirunit i ka hyrë në zemër, duke i prekur aortën. Plaga e marrë nga aksidenti i ka shkaktuar vdekjen pak minuta pas ngjarjes. Në kohën që viktima është rrëzuar nga biçikleta, kanë qenë të pranishëm shumë persona, mes tyre edhe fëmijë. Ata thonë se kanë parë tmerr me sy, pasi vendi ku ndodhi aksidenti u mbulua me gjak. Ka qenë pronari i një lavazhi privat ai që i ka dhënë ndihmën e parë 27-vjeçarit, i cili e ka nisur në spital. Pas ndarjes nga jeta, policia e ka shoqëruar në komisariat në rolin e dëshmitarit okular, për të treguar rreth asaj që ka ngjarë.

Paraprakisht ngjarja është regjistruar si aksidentale, por i takon ekspertëve mjekoligjorë që të thonë fjalën e fundit. Trupi i pajetë është dërguar në morg, për të gjetur shkaqet e vërteta të vdekjes së Mordinit. Fillimisht u dyshua se i riu kishte gjetur vdekjen nga një goditje me thikë, pasi disa ditë më parë, viktima ishte konfliktuar me një banor zone. Në bazë të këtij informacioni, grupi hetimor ka marrë edhe një dëshmi që bën fjalë për grindjen edhe pse sipas provave të gjetura në vendngjarje, anojnë më shumë për vdekje aksidentale. Në pirunin që ndodhet në timonin e biçikletës janë gjetur gjurmë gjaku që dyshohet se janë të plagës vdekjeprurëse. Gjithsesi po vazhdojnë hetimet në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel