3.5 milion euro janë dhënë për ndërtimin e një ujësjellësi të ri për qytetin e Kukësit dhe 10 fshatra përreth. Por punimet zvarriten dhe qyteti vuan për ujë dhe ai ujë i pakët që shkon është i ndotur në disa raste.

Për këtë arsye 100 familje të një lagje të qytetit të Kukësit që kanë 2 javë pa ujë në banesat e tyre kanë dalë në protestë. Shumica prej tyre shumë të varfër, thonë se e blejnë ujin që konsumojnë dhe thonë se nëse gjendja vijon të mos ndryshojë, do të hyjnë në grevë urie.

“S’kemi ujë që prej dy javësh. I bëjmë thirrje bashkisë të na sjellë ujë, kryetari i Bashkisë na premtoi që do të kemi ujin pa ndërprerje. Nuk e duam 24 orë, por të paktën 1 orë në ditë të vijë dhe të mbushim ujë”, thonë banorët e revoltuar.

Në lidhje me këtë cështje ka reaguar edhe kryebashkiaku i qytetit të Kukësit. Ai bën përgjegjës zvarritjen e punimeve.

“Nuk do të pajtohem në asnjë rast me zvarritjen dhe tolerancën që mund të ketë në lidhje me ujësjellësin në qytetin e Kukësit. Jo zoti Olldashi, por kushdo që të jetë, Kukësi ka nevojë që ato lekë t’i kontrollojë ashtu sic i ka prurë zoti Olldashi. Ka autoritetin e duhur që t’i kontrollojë. Janë 4 mln euro të planifikuara për ujësjellësin e Kukësit dhe 11 fshatrave. Zotëria në fjalë le të vijë, ashtu sic e ka tenderuar, ashtu sic ka shpallur firmën fituese, ashtu sic ka përcaktuar edhe supervizorin, ashtu sic do të caktojë edhe kolaudatorin, le të vijë të kontrollojë gjithcka për paret që janë shpenzuar për qytetin e Kukësit”, deklaroi kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj.

I gjithë qyteti i Kukësit po përballet me një kufizim të orareve të furnizimit me ujë dhe situata pritet të përkeqësohet.

Top Channel