Itali, sekuestrohen 23 kg heroinë

30/04/2013 00:30

Do të kishin sjellë mbi dhjetë milionë euro, 23 kilogramët e kokainës të kapura nga rojet financiare të Firences. Droga u kap në dy makina të mëdha, në pronësi të dy shtetasve shqiptarë me banim në Piaçenca dhe Firence.

Automjetet u ndaluan për një kontroll rutinë në autostradë. Njëri drejtohej nga një 30-vjeçar dhe tjetri nga një 42-vjeçar, të dy shqiptarë, nga të cilët ky i fundit udhëtonte së bashku me një grua me shtetësi rumune.

Të dy drejtuesit e makinave kanë ngjallur dyshim, për shkak të nervozizmit dhe faktit që rezultonin të papunë prej vitesh, e megjithatë drejtonin automjete me vlerë prej disa dhjetëra-mijëra eurosh.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjeteve u zbulua se, në të dyja ato ishte krijuar posaçërisht një ndarje e fshehtë, për të transportuar 11 dhe 12 kg drogë, me të cilat llogaritet se mund të nxirreshin mbi 100 mijë doza.

Të tre personat e përfshirë në ngjarje janë arrestuar, me akuzën e mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Atyre u janë sekuestruar edhe 2.000 euro dhe katër celularë.

Sërish rojet financiare bllokuan në Komo, në veri të vendit, një shtetas shqiptar, pasi e kapën duke trasportuar, në një pyll, thasë më marijuhanë. Me gjithë përpjektjen e tij për të shpëtuar, ai u arrit të kapet dhe, bashkë me të, edhe gjysmë toni marijuhanë, e paketuar në qese plastike.

Top Channel