Jetimët, 80 të rinj mbi 25 vjeç ende në shtëpinë e fëmijës

29/04/2013 00:00

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se fëmijët që rriten në institucione
kanë shëndet më pak të mirë se ata që rriten në familje si dhe kanë
rezultate më pak të mira në shkollë.

Ndërsa mbajtja e fëmijëve pranë familjeve promovon mundësitë për mirërritjen e tyre.

Aktualisht regjistrohen 80 raste të rinjsh që kanë mbushur moshën për t’u larguar nga shtëpitë e fëmijës, institucionet e përkujdesjes. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Kozeta Mesiti, tregon lidhur me projektin për shëbrimin e kujdestarisë si dhe alternativat e mundshme për përmirësimin e situatës në institucionet e përkujdesit. “Prezenca e tyre vështirëson punën e stafeve me fëmijët që kanë realisht nevojë dhe që kanë të drejtë të marrin ende ndihmë të specializuar fizioterapie dhe sociale. Në këtë rast del i nevojshëm krijimi i një qendre social-shëndetësore, ku të trajtohen personat me aftësi të kufizuara”, thotë Mesiti.

Sipas saj, institucioni ka në plan ngritjen e një qendre emergjence, në godinat e ish-reparteve ushtarake në vend, institucion që do të vihet në dispozicion të romëve, por edhe të grupeve të tjera në nevojë.

Çfarë përfaqëson shërbimi i kujdestarisë, projekti që po pilotohet në 2 qarqe të vendit?

Një nga grupet më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare janë edhe fëmijët që rriten në institucionet rezidenciale të përkujdesit social. E ritheksoj faktin që përvoja ndërkombëtare ka treguar se fëmijët që rriten në institucione kanë shëndet më pak të mirë se ata që rriten në familje dhe kanë rezultate më pak të mira në shkollë. Mbajtja e fëmijëve pranë familjeve promovon mundësitë për mirërritjen e tyre, duke përfshirë këtu shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Qeveria shqiptare është angazhuar në strategjinë e mbrojtjes sociale 2007-2013 për deinstitucionalizimin e fëmijëve në qendrat rezidenciale dhe kthimin e tyre në familjet biologjike, ku dhe është interesi i tyre më i lartë ose sistemimin në familje alternative, nëpërmjet shërbimit të kujdestarisë. Për këtë po bashkëpunojmë me pushtetin vendor. Të 12 zyrat tona rajonale kanë marrë si detyrë të identifikojnë raste të familjeve që përballen realisht me vështirësi social-ekonomike për rritjen e fëmijëve, si dhe familje që duan dhe janë të gatshme të kujdesen për një fëmijë. Këto raste do të referohen në njësitë e qeverisjes vendore për t’u trajtuar, sipas specifikave që paraqesin. Pra, dhënia e fëmijës në kujdestari të bëhet brenda komunitetit të zonës ose lagjes, ose ndihma social-ekonomike për familjen që rrezikon shpërbërjen. Ndërkaq, pushteti vendor duket të jetë gjithmonë vigjilent për të vlerësuar nevojat e banorëve të komunitetit duke ngritur komisione për këtë qëllim, bashkëpunim që për ne mbetet primar.

Kjo praktikë synon uljen e shpenzimeve për fëmijët që trajtohen në institucionet rezidenciale, krahasuar me ata që përfitojnë financiarisht nga shërbimet alternative?

Si institucionalizimi i fëmijëve në shtëpitë e fëmijës, si shërbimi i kujdestarisë ka kosto financiare. Por ajo që është e sigurt, është se shërbimi i kujdestarisë nuk është kosto e paparashikuar për buxhetin e shtetit. Familjet që do të fitojnë të drejtën e kujdestarisë do të marrin ndihmë financiare për rritjen dhe përballimin e shpenzimeve të fëmijëve që do të marrin në kujdestari. Nga ky vendim do të përfitojnë fëmijët pa kujdes prindëror të moshës 0-18 vjeç. Familjet kujdestare do të aplikojnë pranë pushtetit vendor, bashki, komunë sipas kritereve dhe dokumentacionit përkatës të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave. Masa e përfitimit të shërbimit të kujdestarisë për çdo fëmijë të vendosur në një familje kujdestare është 9000 lekë në muaj + 25 000 lekë për shpenzime vjetore (veshmbathje, shpenzime shkolle) për fëmijë me PAK masa e financimit është 10 000 lekë në muaj. Fëmijët që përfitojnë statusin e jetimit dhe vendosen në shërbimin e kujdestarisë do të përfitojnë vetëm pagesën e kujdestarisë. Fëmijët me PAK, që vendosen në shërbimin e kujdestarisë do të përfitojnë nga pagesa e aftësisë së kufizuar + masa e shërbimit të kujdestarisë 9300+ 9000=18 300 lekë. Ky shërbim, së bashku me atë të shtëpive–familje që po aplikohet brenda institucioneve të përkujdesit rezidencial për fëmijët e “Zyber Hallullit”, është një nga tipologjitë e reja që shërben për të parandaluar fenomenin e institucionalizimit të fëmijëve, të quajtur ndryshe jetimë socialë.

A ka në qendrat e përkujdesit social të rinj që kanë mbushur moshën për t’u larguar nga këto institucione?

Problem për qendrat e zhvillimit është kthimi në familje i fëmijëve që kanë marrë shërbimin e duhur dhe kanë mbushur moshën e trajtimit në këto qendra. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë braktisur nga familjet dhe nuk kanë mundësi kthimi në familje. Pjesën më të madhe në qendrat e zhvillimit e zënë grupmoshat 18-25 vjeç dhe mbi 25 vjeç. Të tillë janë rreth 80 raste që aktualisht trajtohen në qendrat tona të zhvillimit. Realisht prezenca e tyre vështirëson punën e stafeve me fëmijët që kanë realisht nevojë dhe që kanë të drejtë të marrin ende ndihmë të specializuar fizioterapike dhe sociale. Në këtë rast, del i nevojshëm krijimi i një qendre social-shëndetësore, ku të trajtohen personat me aftësi të kufizuara që nuk marrin më zhvillim në qendrat e zhvillimit dhe që kanë kaluar moshën e qëndrimit në to. Krijimi i një qendre të tillë do të përmirësojë kushtet në qendrat ekzistuese, duke krijuar kështu hapësira për frekuentimin e qendrave të zhvillimit nga persona me aftësi të kufizuara të moshave të hershme për t’u dhënë atyre mundësinë e zhvillimit dhe integrimit të aftësive të tyre në veprimtarinë e përditshme.

Çfarë parashikon ngritja e qendrës së emergjencës?

Duke qenë se numri i kategorive sociale dhe individëve në nevojë është rritur, janë rritur edhe kërkesat për të përfituar ndihmë në Shërbimin Social Shtetëror. Në këto kushte gjykuam se ngritja e një qendre sociale emergjence për grupet në nevojë është zgjidhja më e mirë përballë këtij fluksi. Nisur nga kjo, me synim zbatimin e strategjisë së shërbimeve shoqërore dhe zgjerimin e tipologjive të shërbimeve të ofruara, për të qenë më afër nevojave të kategorive sociale dhe grupeve në nevojë, rikonceptuam ambientet e vëna në dispozicion për popullsinë rome në zonën e Sharrës, në periferi të Tiranës. Këto godina po transformohen në një qendër sociale emergjence, që do t’u vijë në ndihmë të gjitha grupeve në nevojë. Projekti do të vijohet më tej, në një fazë tjetër me: ristrukturimin e godinave në përshtatje me kategoritë përfituese të shërbimit, për të dytën herë, zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë dhe energji, realizimin e rrethimit të qendrës për të shmangur problemet që lindën me familjet që jetojnë pranë saj, mobilimin e ambienteve të brendshme, ndërhyrjen për vënien në eficensë të ambienteve sanitare dhe ruajtjen e objektit.

Strehimi i romëve mbetet një nga çështjet më problematike në vend. Çfarë politikash do të ndjekë ky institucion për integrimin e tyre në shoqëri?

Në institucionet tona të përkujdesit social trajtohet një numër i konsiderueshëm përfituesish romë. Konkretisht, në 9 institucione rezidenciale publike të përkujdesit për fëmijë, trajtohen 95 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian. Në 13 OJF rezidenciale për fëmijë trajtohen 66 fëmijë nga komuniteti rom. Gjatë vitit 2012 janë pranuar në institucionet rezidenciale publike për fëmijë 41 vogëlushë të këtij komuniteti. E njëjta situatë paraqitet edhe në qendrat e zhvillimit publik për personat me paaftësi apo në qendrat pritëse të viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje, ku janë strehuar fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptianë në vend. Megjithatë, aktualisht jemi në fazën e ngritjes së një qendre emergjence, që do t’u shërbejë romëve, por edhe grupeve të tjera në nevojë, me qëllim integrimin e tyre në shoqëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel