Prej dy vitesh paterica është bërë e pandashme për Mirjan Krosin, 15-vjeçari që vuan nga sëmundja e hemofilisë. Këmba e djathtë e tij ka pësuar hematoma nga plagët e marra gjatë viteve, duke i krijuar artikulacione në gju dhe kyç.

Xhevairja, nëna e 15-vjeçarit, thotë se prej muajit nëntor Mirjani nuk ka marrë asnjë faktor 8, medikamenti bazë për trajtimin e hemofilisë dhe mjekët e QSUT-së i kanë pohuar se nuk janë furnizuar me faktorë.

“Ka mungesë të ilaçeve, vija në Tiranë më thoshin se s’ka ilaçe. Tani djali po përkeqësohet. Çfarë do ketë spitali kur s’ka ilaçe, sëmundje?”, thotë nëna e adoleshentit.

Mjekja onkohematologe në spitalin pediatrik, Mirela Xhafa, e cila e ka ndjekur trajtimin e 15-vjeçarit që në fëmijëri, shpjegon se invaliditeti i djalit ka ardhur si pasojë e mungesës së mjekimit të rregullt.

“Mënyra e marrjes jo në mënyrë të vazhdueshme të ilaçeve bën që këto probleme të japin dëmtime të pakthyeshme. Ndoshta operacioni është një nga alternativat kryesore përpos mjekimit”, thotë Xhafa.

Aktualisht në qsut nuk ka përfunduar akoma tenderi për blerjen e faktorëve 8 dhe 9 për hemofilikët. E vetmja zgjidhje për të sëmurët kanë qenë donacionet nga Federata Botërore e Hemofilisë, e cila në fund të muajit prill pritet të sjellë një sasi të madhe faktorësh që do të shërbejnë për trajtimin mjekësor të 400 pacientëve.

Top Channel