Xhimi dhe Olta, “shkëndija” në studio

26/04/2013 13:55

Dy ish-banorë të “Big Brother Albania 6”, Olta dhe Xhimi, u ndanë me “shkëndija” midis tyre.

Një raport që në javët e para ishte dukur i afërt dhe i përzemërt, degradoi në apati dhe ofendime të ndërsjellta.

Të ftuar në studio e “Fan Club”, përballë Albana Osmanit dhe Olti Currit, secili prej tyre dha versionin e tij të fakteve, pa shmangur dot polemika të reja.

”Ne me Oltën kemi pasur një raport të mirë, ftohjen e ka shpjeguar ajo, por nuk e kuptova atë që ajo fliste nëpër cepa me një lloj egërsie. Kanë qenë disa skena ku unë kaloja dhe ia bënte e urrej, t’ia fus me tenxhere, fraza që nuk i shkojnë një personi që e quan veten të edukuar”, komentoi Xhimi.

Përgjigjja agresive e Oltës ishte e menjëhershme dhe agresive: “E para, unë nuk them asnjëherë fjalën urrej. Kam përdorur fjalën neveri. Me Xhimin kishim një keqkuptim javën e tretë, i kërkova falje, më the që më kishte falur e kur pas shtatë javësh më rikthehet e më thotë se e kisha bërë me qëllim. Domethënë, katër javë kishte thurrur vetëm hakmarrje e s’më kishte falur asnjëherë”.

”Pak rëndësi ka statusi i tij, fakti që në shtëpi hyri si beqar. I thoja mos më prek, e kisha vdekje kur më vinte ngjitur, si shaka. I thoja mos i dukej sikur po bënte flirtime, mbase e kuptojnë ndryshe këtej, por i vura vizën kur më tha ti bëre diçka. I bie që katër javë mblodhi, pra që gjatë kësaj kohe ishte fallso”, shtoi Olta.

Në vazhdim të prezencës në “Fan Club”, Xhimi iu rikthye spekulimeve për deklaratën, që sipas gazetave ai bëri, duke e konsideruar Elonën si lesbike. “Mori Rikën dhe e mbajti nja katër ditë, duke mos lejuar asnjë që të fliste lirshëm, nuk e lëshonte, e mbërtheu. Mbase për të treguar që kishte një lloj aleance, një lloj grupazhi, por nuk kam thënë që ishte lesbike”.

Ish-banori iu rikthye edhe trajektores së tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. “Ajo është brenda e unë jam jashtë, por nuk e kam shumë problem këtë, për mua kryesorja është që mbajta një karakter. Nuk e kisha mani të fitoja, madje dua të them që kam qenë shumë i dyzuar, bëra gabim në zgjedhjen e sekrettit, mendova se do të ishin sekrete të tipit më të mëdha, ndërsa unë nuk thashë që isha i martuar. Unë gjysmën e jetës sime nuk e përmenda, fëmijën, gruan, kisha mall, nuk mundesha të flisja se do të më dilte diçka e kjo e dëmtoi lojën time”.

Top Channel