Dixhitalizohet biblioteka e Arteve

25/04/2013 15:45

Trashëgimia shumëvjeçare e bibliotekës më të vjetër të artit në Shqipëri, asaj të Universitetit të Arteve, tashmë mund të aksesohet online nga studentë, pedagogë apo kërkues e artistë nga institucione dhe shkolla të ndryshme artistike.

Këtë e bën të mundur dixhitalizimi i fondit të bibliotekës së Universitetit të Arteve ku përfshihet arkiva e muzikës, fondet speciale të dorëshkrimeve të kompozitorëve shqiptarë, dramave të vjetra etj.

Petrit Malaj, rektor i Universitetit të Arteve, deklaroi: “Me këtë dixhitalizim i japim mundësi studentëve të navigojnë në materialet e ndryshme dhe të gjejnë elementet e duhur për punimet që i nevojiten.”

Për drejtoreshën e Bibliotekës së Universitetit të Arteve, Miranda Bakijasi, arkiva dixhitale dhe katalogu elektronik, përveçse i ruan këto pasuri, ndihmon edhe për procesin mësimor: “Ky arkiv dixhital redukton ndjeshëm kohën e kërkimeve të ndryshme, si nga ana e pedagogëve, ashtu edhe për studentët.”

Dixhitalizimi i fondit të Bibliotekës së Arteve u mbështet nga Banka Botërore, në kuadër të projektit “Cilësi dhe Barazim në Arsim”.         

Top Channel