Nxënësit e sistemit dygjuhësh në “Sami Frashëri”

24/04/2013 17:50

Metodikë mësimore sipas shtetit gjerman, kurrikula dhe libra të po këtij vendi dhe padiskutim mësim në gjuhën gjermane.

Prej 6 vitesh në gjimnazin “Sami Frashëri” dy klasa të kësaj shkolle janë pjesë e sistemit mësimor dygjuhësh, shqip-gjermanisht. Përveç mundësisë për të arritur nivele shumë të larta njohurish të gjuhës gjermane, disa prej lëndëve bazike zhvillohen në këtë gjuhë. Nxënësit e quajnë veten me fat që janë pjesë e këtij sistemi.

“Mendoj se pas gjimnazit e ardhmja ime mund të jetë në Gjermani. Ky nuk është qëllim në vetvete, por kurrë nuk i dihet. Ne marrim shumë dije shkencore në gjermanisht dhe kjo të ndihmon edhe me gjuhën”, thekson një nxënëse.

E më shumë sesa fat, kjo është meritë e tyre pasi për tu pranuar në klasat e sistemit dygjuhësh, nxënësit duhet të testohen: “Bëmë një provim në qershor dhe aty u zgjodhën 56 nxënës nga vitet e para.”

Për drejtorin e projektit të seksionit dygjuhësh në gjimnazin “Sami Frashëri”, Hans Zeller, nxënësit shqiptarë kanë arritur nivele shumë të larta rezultatesh. Mësimi në gjuhën shqipe dhe gjermane është një projekt-pilot që po zbatohet në këtë shkollë, po ashtu edhe në shumë shkolla të tjera të rajonit, por nxënësit shqiptarë rezultojnë më të mirët: “Niveli i gjuhës në këto 6 vitet e fundit është rritur shumë. Kjo do të thotë se 89% e nxënësve arrijnë të marrin diplomën gjermane. Ndërsa njohuritë matematikore të nxënësve tanë që marrin pjesë në këtë seksion janë shumë të mira. Seksioni këtu dygjuhësh shqiptaro- gjerman është si një shembull për seksionet e tjera si Kosovë, Maqedoni, Serbi etj. për shkak të nivelit të lartë të nxënësve.”

Nuk është e lehtë të jesh në majë e për më tepër që ngarkesa e këtij sistemi mësimor i kalon nivelet e gjimnazit të zakonshëm: “Është më i vështirë se gjimnazi normal, por me punë arrihet gjithçka.”

Por sfida që këta të rinj kanë marrë u krijon mundësi të mëdha përzgjedhjeje në jetë. Së fundmi, qeveria gjemane ka vendosur që nxënësit e dalë prej këtij sistemi të mund të pranohen direkt në universitetet gjermane, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen kurseve dhe provimit të gjuhës atje.  

Top Channel