Berisha për arsimin dhe sportin

20/04/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në diplomimin e 50 studentëve, të
cilët përfunduan masterin profesional, në degën administrim- biznes.

Të diplomuarve, studentëve të universitetit të Tiranës, dega Sarandë, Kryeministri Berisha i premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të jetë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë cilësia  e mësimdhënies në universitetet dhe shkolla.

“Diplomimi këtu sot me master profesional, për here të parë në këtë universitet është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë këtu në përpjekje të gjithanshme. Çdo i ri , çdo e re duhet të ketë të drejtë, të bëjë reale, të bëjë të vërtetë ëndrrën e vet universitare. Sot numri i studentëve në universitetet tona  publike dhe private është 162 mijë, kundrejt vetëm 52 mijë që ishte në vitin 2005.Ne, 8 vjet më parë kishim përqindjen e të diplomuarve në popullatën tonë 3,4 % tërësisht e papajtueshme me ritmet e zhvillimit dhe rreth 8 herë larg mesatares evropiane. Ne po ngjitemi me shpejtësi, natyrisht në këtë proces është e pamundur të mos ketë dobësi, është  e pamundur të instalohet menjëherë cilësia që do, por rrugë tjetër për të arritur atë cilësi, rrugë tjetër më të drejte se kjo për ta arritur objektivat nuk ka”, tha Berisha.
 
Kryeministri Sali Berisha tha se sot, Shqipëria ka instaluar në shkollat e larta, sistemin e Bolonjës,  dhe se Shqipëria ka filluar sistemin e vlerësimit dhe në këto shkolla nga 6 mijë pedagogë që ishin në vitin 2006, sot ka mbi 10 mijë.

“Do të bëjmë gjithçka që stafet pedagogjike të plotësohen , sikundër do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar kërkimin shkencor, për të inkurajuar nivelet më të larta të kualifikimit.Le të shtrojmë së bashku një pyetje, në c’pjesë të Shqipërisë apo të planetit mund të ngrihet një universitet për turizmin më mirë se këtu në Sarandë. Askund sepse këtu është djepi natyral i këtij universiteti”, tha Berisha.

Pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha në këtë aktivitet në Sarandë ishte në serinë e takimeve të me të rinj nga i gjithë vendi.

Berisha: Prioritet investimeve në sport

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e së shtunës një takim me studentët e Universitetit të Sporteve, të cilëve u ka premtuar më shumë mbështetje në mandatin e ardhshëm.

Gjatë bashkëbisedimit Berisha e ka cilësuar sportin si një prioritet të qeverisë së tij, në të mirë të edukimit të qytetarëve.

“Prioriteti ynë janë investimet në fushën e sportit. Sporti është i rëndësishëm për zhvillimin e njeriut. Qeveria do të garantojë terrene sportive falas për t’u ushtruar nga kushdo”, ka thënë Berisha.

Nuk ka munguar reagimi në Twitter i kryetarit të PS, Edi Rama, i cili është shprehur se, “pasi nuk bëri gjë për 8 vjet në pushtet, Berisha po kopion programin e PS për sportin”. 

Top Channel