Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi mbledhjen e parë pas krizës së dorëheqjeve. Në këtë mbledhje mungoi edhe anëtari, Jani Jani i cili një ditë më parë deklaroi ngrirjen e punës si anëtar i KQZ-së.

Si rrjedhojë, mbledhja u zhvillua me praninë e kryetares Lefteri Lleshi, anëtarëve Hysen Osmani dhe Vera Shtjefni dhe anëtarit që zëvendësoi Ilirja Muhon, Klement Zguri.

Jashtë rendit të ditës, përfaqësuesi ligjor i PS, Genci Gjoncaj e quajti shkarkimin e anëtarit Muho të padrejtë ndërsa deklaroi se KQZ është kthyer në organ politik.

“Veprimi i fundit i Kuvendit zonja Kryetare i arsyetuar gjoja për balancim politik më ngjan me zgjedhjet e vitit 2011, kur në përfundim të lojës, KQZ e asaj kohe, por që ngjan si një pikë loti me këtë të sotmen, ndryshoi rregullat e lojës kur gara kishte përfunduar, ndërsa sot më keq se atëherë akoma u ndryshua arbitri i kësaj loje. Kjo ndodh sa herë që mazhoranca frikësohet nga vota e popullit”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i socialistëve në KQZ, Genci Gjonçaj.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i demokratëve, Njazi Kosovrasti tha se largimi i anëtarëve të propozuar nga opozita në KQZ është një praktikë e ndjekur edhe në zgjedhjet vendore të 2011 për të minuar zgjedhjet.

“Edhe përpjekja që bëhet, qoftë me largimin e tre komisionerëve nga tavolina, me dorëheqjet e tyre, qoftë edhe deklaratat që bëhen lidhur me etapat të ndryshme të procesit që vjen, janë përpjekje që unë i vlerësoj një trysni të dështuar për t’i bërë presion KQZ. Procesi do të vazhdojë, zgjedhjet do të bëhen më 23 qershor dhe do bëhen me standardet më të mira që mund të jenë bërë deri më sot”, reagoi përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti.

Në mbledhje, KQZ miratoi regjistrimin si subjekt zgjedhor të 67 partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje si dhe emrin e tre kandidatëve të pavarur. 5 parti nuk u miratuan për shkak të dokumentacionit jo të saktë apo jashtë afatit.

Top Channel