Me shumë elegancë dhe një gjuhë diplomatike qartësisht të kuptueshme,
Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet
e Europës Qendrore e Jugore, nuk e fshehu shqetësimin e SHBA-ve, për
zhvillimet e të hënës në Parlamentin shqiptar.

“Ne diskutuam gjatë takimeve, zhvillimet e ndodhura në parlament në hënën. Sikurse e ka bërë të qartë ambasada jonë, ne dallojmë disa shqetësime lidhur me ndryshimin e balancave për formimin e KQZ-së. Besojmë se ka një argument të fortë ligjor, që vë në pikëpyetje mënyrën se si ka votuar Parlamenti. E megjithatë në duam që KQZ-ja të funksionojë dhe nëse kjo nuk ndodh zgjedhjet nuk mund të zhvillohen me 23 Qershor. Do të shikojmë se si procesi do të vijojë. Jemi të shqetësuar nga ajo që kemi parë, niveli i lartë i tensioneve politike ndërsa futemi drejt këtyre zgjedhjeve, sërish me pyetje edhe akuza në çështjen e ligjshmërisë”, tha Moore.

Zoti Moore gjithashtu gjatë konferencës për shtyp foli edhe për protestën e organizuar përprara shtëpisë së deputetit Kastriot Islami.

“Dua t’ju them se një prej personave me të cilin jam takuar është deputeti Kastriot Islami. Parimet demokratike kërkojnë jo vetëm që njerëzit të bëjnë zgjedhjet e tyre. Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer që ka pasur një presion të drejtpërdrejtë në shtëpinë e një anëtari të Parlamentit duke ushtruar presion jo vetëm ndaj tij por edhe familjes”, thotë Moore.

Përpara bashkëbisedimit me gazetarët Moore zhvilloi një takim me Kryeministrin Sali Berisha.

Top Channel