Ruçi: Ka vdekur parlamentarizimi

18/04/2013 00:00

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi, duke folur në seancën
plenare të së enjtes deklaroi se Qeveria e Berishës do të largohet nga
drejtimi i vendit sepse në Shqipëri nuk ka votë të lirë, nuk ka
institucione të pavarura dhe niveli i korrupsionit dhe krimit është
tepër i lartë.

“Në këtë sallë ka ndodhur një hata e madhe. Ju po na turpëroni, po na diskretitoni dhe po na prishni marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë. Jemi dy muaj përpara zgjedhjeve dhe KQZ është në krizë të thellë. Në Shqipëri ka vdekur parlamentarizmi, politika dhe besimi i qytetarëve tek vota e lirë”, tha Ruçi, duke risjellë në qendër të debateve parlamentare situatën e fundit të krijuar në KQZ.

Sipas Ruçit, kërkesa për plotësimin e vendeve bosh në KQZ është tërësisht e pavend, sepse institucioni i administrimit të zgjedhjeve është marrë peng, është politizuar.

“Ja ku jemi për të korrigjuar gabimet. Burrë shteti është ai që korrigjon gabimet e kryera”, tha Ruçi, duke ftuar maxhorancën që të reagojë në situatën e krijuar.

Ndërkohë kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi, akuzoi Edi Ramën se po kërkon t’i prishë zgjedhjet dhe se e ka kthyer çështjen e shkarkimit të anëtarit të propozuar nga LSI, Ilirjan Muho, në një çështje shumë të madhe, kur në fakt në historinë e Kuvendit janë shkarkuar edhe zyrtarë më të rëndësishëm se ai.

“Çfarëdo vendimi që të marrë Rama, zgjedhjet do të mbahen, sepse ato janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve”, tha Patozi.

 

Top Channel