Meta: Mjerë ai që prek votën

18/04/2013 00:00

Kalimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicion opozitar, për fat të keq ka shërbyer për të sjellë një krizë të thellë politike dhe institucionale në vend.

Përfaqësuesit e KQZ-së, të propozuar në këtë institucion të pavarur nga partitë opozitare, tashmë janë shkarkuar apo dorëhequr dhe perspektiva e mbajtjes së zgjedhjeve është ajo vetë në një pikëpyetje të madhe.

Pas shkarkimit të Muhos dhe dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga socialistët, Biba e Shtylla, edhe Jani i PBDNJ-së tha se nuk do të marrë mnë pjesë në mbledhje.

Në këto kushte, në mes të kësaj “vorbulle” që ka përfshirë vendin, i ftuari i javës në emisionin “Top-Story” të Sokol Ballës nuk mund të ishte tjetër përveçse kryetari i LSI-së, zoti Ilir Meta.

Sokol Balla – Mirëmbrëma zoti Meta.

Ilir Meta – Mirëmbrëma juve dhe të gjithë ndjekësve.

Sokol Balla – Çfarë ndjesie është të riktheheni përsëri në opozitë?

Ilir Meta – Në politikë kam hyrë si opozitar dhe si një parti opozitare. Kjo ndjesie është e njohur mirë tashmë.

Sokol Balla – Më kujtohet kur ishim në këtë studio në muajin prill. E habitshme se sa shumë gjëra ndodhin në një vit?

Ilir Meta – E vërtetë, por ndryshimet më të mëdha nuk kanë ndodhur akoma, do të jenë ato në tre muajt e ardhshëm.

Sokol Balla – Le t’i kthehemi temës së ditës, KQZ-së. Përtej argumentit politik, argumenti i dytë i mazhorancës është ai i pakorrektësive në CV-në e zotit Muho. A mendoni se ishte një gavë naive ajo e mosdeklarimit?

Ilir Meta – Lidhur me pretendimet e pseudomazhorancës, sepse e tillë është tashmë, mund të them se ka humbur logjikën, kontrollin, arsyen dhe çdo lloj përgjegjësie përpara vendit. Nuk e përtypim dot atë rotacion të domosdoshëm, të pashmangshëm dhe të sigurt. Ajo që ndodhi me minimin e pavarësisë së KQZ-së ka të bëjë me prishjen e standardit të zgjedhjeve, në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, e në mënyrë të njëanshme. Natyrisht që do të ketë ndikim, por mendoj se në fund do të jetë pozitiv, në drejtimin e një angazhimi më të madh të opozitës dhe të të gjithë shqiptarëve.

Në rastin konkret është një gënjeshtër e madhe preteksti se ky person kishte problem ligjor, është një mashtrim i hapur, që erdhi si reagim paspanikut të një kundërshtimi të gjerë dhe të ashpër për nismën e politizimit ekstrem të KQZ-së dhe gjoja arsyetimit se KQZ është politike, diçka që bien ndesh me përcaktimin e Kushtetutës. Ndaj zotërisë është marrë një masë administrative, kjo është e vërtetë, për përgjegjësinë e tij të vlerësimit të aktit të një vartësi dhe ky prokuror, që gjithashtu u shkarkua, e fitoi në Gjykatë të Lartë këtë pretendimin e tij. Për rastin e Muhos ka pasur një dekret të president Moisiut, nuk ka asnjë fshehje, por edhe sikur të ishte kapur me një kundravajtje të vërtetë, koha e rehabilitimit, e përcaktuar në ligj, ishte shlyer.

Qëndrimi i dyfishtë i Partisë Demokratike është i habitshëm, e mund t’ju them që kryetari i mëparshëm i KQZ-së, i propozuar nga kjo mazhorancë ka qenë i arrestuar nga presidenti Berisha dhe madje edhe i dënuar, por edhe për ata që dënohen penalisht ka procedura rehabilitimi, pranaj asnjëherë nuk është përdorur si argument. PD po kalon në një arrogancë të madhe në cënimin e institucioneve, me qëllim të kontrollojë të gjithë jetën politike dhe ky përbën një shqetësim për demokracinë, standardet europiane që duhet të ketë shoqëria. Jemi në një moment që standardi i zgjedhjeve është dhunuar, por kjo nuk do të pengojë në asnjë mënyrë rotacionin, pasi opozita është e motivuar, e ka mundësitë dhe instrumentat për të mbrojtur fitoren plebishitare.

Sokol Balla – Përpara se të shkojmë tek tema e zgjedhjeve, duhet të pyesim se çfarë do të ndodhë me KQZ-në? PS tha që nuk do të propozojë emra të rinj. A do ta bëjë këtë LSI?

Ilir Meta – LSI nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. Ne sot nuk kemi një KQZ, nuk është më siç e përcakton kodi, e pavarur. Nuk është dhunuar vetëm një person, që u hoq në mënyrë të paligjshme, por u dhunua institucioni. Ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ. Në përpjekjen për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme nuk mund të bëhet lojë edhe opozita.

Sokol Balla – Po shohim një seri braktisjesh të opozitës, nga KQZ, tek zëvendëskryetari i Kuvendit, Nasip Naço, që paraqiti sot dorëheqjen e tij.

Ilir Meta – Opozita nuk po braktis asgjë, përkundrazi do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Po kështu, opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, por afrimin nëse ka mundësi. Opozita ka çdo kapacitet dhe instrument për të garantuar dhe një votë të vetme, kudo që ndodhet në të gjithë vendin. Sot, të gjithë prozhektorët brenda dhe jashtë vendit janë fokusuar tek Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolute mbi çdo instutucion do të imponojë shumica që nuk ekzistojnë, pasi shumica është tjetër. Në të gjithë zgjedhjet PD ka qenë pakicë, e majta është shumicë, pavarësisht historive që të gjithë i dinë shumë mirë. Në qoftë se do, le ta mbajë KQZ siç do, le ta bëjë shtatë me zero, siç ka qenë në vitin 1996. Opozita sot është në një start tjetër, është e bindur që të garantojë një rotacion të pashmagshëm dhe të sigurt.

Sokol Balla – Por, a do të shkojë opozita drejt një braktisje të mundshme të zgjedhjeve?

Ilir Meta – Jo, ju siguroj ama që nuk ka asnjë shans për bojkot të zgjedhjeve. Berisha duhet të gjejë si do të dalë nga kjo situatë, me dinjitet, reflektim apo ndonjë mënyrë tjetër, pasi rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, as të paguajë me miliona dollarë për Podestën, që manipuloi deklaratën e Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore, e këto janë fonde që merren nga taksapaguesit.

Ndryshimi do të ndodhë në mënyrën më absolute, nëse Berisha reflekton do t’i bëjë një të mirë vendit dhe partisë së tij, pasi ndryshe do të hyjë në trashëgimi si prishës dhe manipulues i zgjedhjeve, e sjelljeve të papërmbajtura që nuk i takojnë një kryeministri të një vendi anëtar i NATO-s. Mua më vjen keq që ne të konsiderohemi një regjim hibrid si Uganda. Janë gjëra të palogjikshme. Kishte një marrëveshje për kodin, dëshiron një ndryshim? Kërko marrëveshje me PS dhe përfshi edhe ata të OSBE-së, bashkëhartues të Kodit. Si mund të paraqesësh tre motivacione të ndryshme, brenda një seance. Në një vend të zhvilluar europian nuk mund të ndodhë kurrë diçka e tillë? Kjo ndodh si rrjedhojë e një paniku propagandistik, për manipulimin e zgjedhjeve nga opozita, që kjo është një çudi e paparë e ju siguroj që jemi vendi i vetëm në botë që mazhoranca do ka frikë nga manipulimi i opozitës.

Sokol Balla – Megjithatë, duke dashur të gjesh një lloj logjike, duket se lëvizja e mazhorancës në KQZ ka një sens balancimi, sepse kalimi LSI i ndryshoi raportet tek KQZ e komisionet e numërimit?

Ilir Meta – Ky nuk është, por spekulim. Argumenti i vetëm është ligji. KQZ është institucion kushtetues i pavarur dhe mandati i anëtarëve është gjashtë vjet, nuk është katër, por gjashtë. Tjetra, që është shumë e rëndësishme, institucionet e tjera si KZAZ janë të përkohshme, vetëm për një palë zgjedhje dhe atje kanë partitë rol kryesor. Absolutisht që gjithcka do të bëhej këtu në frymën e Kodit dhe strukturave të tjera, por kjo është një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku ne mund të jemi i vetmi vend në botë ku thuhet se opozita do të manipulojë zgjedhjet.

Sokol Balla – Ju thoni që zgjidhja mund të ishte gjetur edhe nëpërmjet mbajtjes së negociatave?

Ilir Meta – Ju kujtoj që kodin e ka bërë PD me PS, ne kemi pasur kundërshtimet tona, por ata e kanë bërë me konsulencën e OSBE-së dhe negociatat ishin të natyrshme nëse do të mbaheshin. Dua t’i rikthejmë dinjitetin KQZ-së, duahet të kemi zgjedhje me standartin e duhur dhe kjo është përgjegjësi e Berishës.

Sokol Balla – Ju e takuat atë natën në Kryeministri zotin Berisha dhe atë natë u dukët sikur u ndatë në paqe?

Ilir Meta – Raportet tona në katër vjet, që kur iu përgjigjëm pozitivisht ftesës kanë qenë konstruktive, bashkëpunuese, edhe pse kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, që në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht dhe në takimin e fundit. Në atë takim, unë e falenderova për bashkëpunimin e di bëra të qartë se kisha vendosur të bëja një zgjedhje tjetër për PS.

Sokol Balla – Si e priti Kryeministri këtë deklaratë?

Ilir Meta – Ajo që doja të theksoja, është se po të më kishte thënë në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar na prish balancat në KQZ, besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur me bisedime, pa qenë e nevojshme që të krijoheshin trauma të tilla.

Sokol Balla – Pra do e kishit tërhequr zotin Muho?

Ilir Meta – Unë besoj se po, se për mua s’ishte shumë e rëndësishme 4-3 apo 3-4, nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshje me Ramën kontrolli KQZ-së. Gjithçka tjetër mendoj se ishte një justifikim, për të justifikuar me propagandë bolshevike veprimet bolshevike si ky shkarkim.

Sokol Balla – Megjithatë, u duk se divorci do të ishte në paqe e në pushtetin lokal do të vazhdonte bashkëpunimi, por në fakt, fill pas votimit të LSI-së të një projekti të rëndësishëm në bashki, një ditë më pas erdhi fillimi i përpjekjes për shkarkimin. A është kjo një prerje në besë?

Ilir Meta – Unë nuk kam zakon që të tregoj histori ç’i thashë e ç’më tha e besoj se kjo nuk është as në interesin e publikut. Kam dëgjuar fjalë për komplotin e madh të rrëzimit të qeverisë, por unë nuk do të votoja kundër qeverisë sime dhe deputetëve të mi. Nuk ka kuptim që për një javë pas daljes nga qeveria, ajo u bë e zezë dhe hajt ta rrëzojmë. Pavarësisht se nuk i kishin 71 vota, por sipas zgjedhjeve të 2009-s, PD ishte e para dhe asnjëherë s’ka qenë pjesë e angazhimeve të mia me Ramën dhe me të tjerët që të bënim një qeveri teknike, për vetë faktin që interesi i vendit ishte që ndryshimi të bëhej me votën e qytetarëve. Kjo ka qenë një betejë e ulët, edhe në çështjen e KZAZ-së mund të ishte zgjidhur, por nuk ka qenë ky shqetësimi real i mazhorancës.

Shqetësimi real është diferenca e madhe midis dy koalicioneve dhe besimit për ardhjen e saj në pushtet pas 8 vitesh e situatës me gjendjen elektorale të Partisë Demokratike. Kjo lëvizje duhej bërë për të krijuar pikërisht të kundërtën e kësaj bindje, që të dekurajojnë sa më shumë elektoratin e të shpikin beteja të paqëna, me koston e shkatërrimit të një institucioni kushtetues, e tani për Shqipërinë e shqiptarët, çdo kusht i ndërkombëtarëve lidhet me zgjedhjet. Nëse KQZ qëndron kështu është një turp i madh për vendin tonë dhe gjithcka që vjen pas kësaj.

Sokol Balla – Mund të thuhet që ka pasur një raport special mes jush dhe Bashës në këto vite?

Ilir Metën – Raportin më special e kam patur me Berishën. Nuk kam pasur marrëveshje me asnjë tjetër. Natyrisht, me zotin Basha kam patur komunikim shumë të mirë, jo gjatë këtyre katër viteve, por edhe përpara se të angazhohej në politike, por nuk kam pasur asnjëherë asnjë marrëveshje me të. Marrëveshja ime ka qenë vetëm me Berishën dhe Partinë Demokratike.

Sokol Balla – Bën përshtypje fraza që thatë se s’do të kishte moral për LSI-në që t’i kundërvihej një qeverie që ajo bënte pjesë. Pyetja e një qytetari nga “Tëitter” është nëse LSI do të bëjë fushatë kundër Berishës apo qeverisë Berisha?

Ilir Meta – LSI do të bëjë fushatë për të vendosur një ekuilibër të ri politik në vend, për të bërë një ndryshim të domosdoshëm, një ndarje të re të pushteteve dhe një të ardhme të re europiane për vendin, sepse problemi kryesor në këto vite ka qenë ngërçi mes mazhorancës dhe opozitës. Procesi i integrimit ka mbetur në stanjacione të pamerituara e lidershipi i PD-së nuk ka treguar përmbajtjen për të vendosur ura komunikimi. E vetmja mënyrë që politika të hyjë në rrugë bashkëpunimi objektiv, është të kemi një Parlament, Kryeministër e qeveri të re dhe natyrisht, opozita nesër do të jetë e përfaqësuar më së miri edhe nëpërmjet presidentit e institucioneve të tjera ku ka ndikim.

Sokol Balla – Pra nuk do të ketë një president të ri?

Ilir Meta – Pa dyshim që jo. Ne nuk jemi si kjo mazhorancë, që shkarkon drejtues e anëtarë të institucioneve të pavarura.

Sokol Balla – Çfarë pengon sot më shumë integrimin, zgjedhjet dhe prishja e KQZ apo tre ligjet?

Ilir Meta – Sot, absolutisht zgjedhjet. Sepse këto janë problemi më i rëndësishëm, ndërsa ligjet janë konsideruar si një minimum i domodoshëm. Në këtë drejtim shpresoj në një zgjidhje të përgjegjshme për procesin e KQZ-së, ndërsa përsa i takon çështjes, shpresojmë dhe besojmë që mund të ketë iniciativa pozitive në këtë drejtim.

Sokol Balla – Pritet që opozita të votojë ligjet brenda kësaj legjislature?

Ilir Meta – Ne jemi në hartimin e një marrëveshje me PS, ku thelbi i LSI-së është angazhimi europian dhe i çuarjes përpara të tre ligjeve. Synimi ynë është t’i miratojmë brenda kësaj legjislature, sepse po s’u bë brenda kësaj kohe, rrezikojmë statusin edhe në dhjetor.

Sokol Balla – Ke qenë promotor i asaj…le të themi “qeveria po vjen”, nisur nga bashkimi i forcave në pushtetin vendor, marrim rastin e Fierit që zhbllokon një ngërç, a është kjo shenja e parë?

Ilir Meta – Pse jo. Ka qenë një ngërç i pamerituar për qytetarët e Fierit që tashmë konsiderohet i zgjidhur, ndërsa në të gjitha qarqet dhe gjitha këshillat e komunave do të konfigurohen bashkimet e reja të opozitës me forcën dhe aksionin opozitar.

Sokol Balla – Reflektimi juaj për 4 vite në qeverisje me Partinë Demokratike është një reflektim pozitiv? Duke parë që së fundmi tonet janë shtuar shumë, me kryeministrin që ka deklaruar “le t’u lemë atyre ngjalat e Kokës”.

Ilir Meta – E kam dëgjuar shpesh këtë shprehje, por meqë i shmanget debatit me Ramën, shpresoj të ketë një debat me Kokën, jam i bindur që Koka pranon.

Sokol Balla- Bashkëjetesa me kryeministrin Berisha?

Ilir Meta – Ka qenë shumë më e mirë se c’ështe menduar në fillim. Nuk menduam që do të ishte një bashkëpunim që do shkonte mbarë sepse ka qenë një koalicion i panatyrshëm dhe i imponuar nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga ndarja e ashpër PS-LSI. Përsëri e vlerësoj këtë bashkëpunim që arriti disa rezultate të rëndësishme në një situatë politike jo shumë komode. Vlerësoj heqjen e vizave dhe nuk jemi aspak të penduar për këtë marrëveshje, përkundrazi. Nuk kemi asnjë pakënaqësi në këto katër vite bashkëqeverisje. Do të ishte e pritshme për të gjithë ata që arsyetojnë politikisht që kjo nuk ishte një marrëveshje afatgjatë. Që kur hyra i kisha vënë vetes detyrimin që të mos prishnim marrëveshjen. Sot sapo iku LSI qeveria humbi kontrollin në trajtimin e cështjeve të ndryshme.

Sokol Balla: Berisha burrë shteti apo diktator?

Ilir Meta –  Berisha është i pafuqishëm për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve edhe ai vetë e di këtë. Nëse ai do të preferonte që të mbetej apo t’i afrohej vlerësimit të parë duhet të shikojë interesat e vendit. Nuk është e rëndësishme se sa mandate merr PD, ai do të mbahet mend nëse zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme apo zgjedhjet nuk ishin me standarde. Kemi ndarë qendrimet tona jo gjithmonë kemi mbajtur të njëjtin qendrim. Kemi ndarë qendrime të kundërta për Gjykatën Kushtetuese dhe Presidentin. PD ishte e njëanëshme tek presidenti.

Sokol Balla – Raportet me Nishanin?

Ilir Meta – Marrëdhëniet e mia kanë qenë tepër korrekte me të në aspektin personal shoqëror dhe politik, ndonëse ka qenë nga më të pranueshmit e PD, për shkak të korrektesës personale, por mendoj që duhet shumë punë për të bërë presidentin e gjithë shqiptarëve. Unë besoj që pas 23 qershorit do të ketë të gjitha mundësitë që të ngrihet në këtë nivel.

Sokol Balla – Mendoni që duhet të kishte folur presidenti tek konflikti në KQZ?

Ilir Meta –  Duhet të kishte qenë më bashkëpunues me opozitën. Mendoj që ka patur mundësi për të qenë më publik për të adresuar mesazhe bashkëpunimi mes dy palëve sidomos për integrimin. Por besoj që pas 23 qershorit do të kemi një bashkëpunim objektiv dhe të natyrshëm mes presidentit, opozitës së re dhe mazhorancës qeverisëse. Do të ndjehet i respektuar dhe i mirëpritur për të forcuar institucionet e vendit. Shteti është i të gjithëve dhe bashkëpunimi është i domosdoshëm.  Për mua këto 3-4 vite kanë qenë një eksperiencë e vecantë. Berisha është një personalitet kompleks që ka mjaft energji që mund t’i investojë për qëllime të mira, por që ka edhe ai ato vështirësitë e veta që nuk i menaxhon me këshilltarë të mirë. Nuk ka politikanë perfekt, por në fund secili e zgjedh vetë rrugën më të mirë për veten e tij dhe në këtë rast nuk mund të jetë ajo që lemë në histori.

Sokol Balla- Në këto 3 vite ju i keni dhënë kontrollet e institucioneve të pavarura me votën tuaj në Kuvend.

Ilir Meta – Ne kemi votuar në mënyrë të pavarur dhe individuale dhe nuk kemi votuar në bllok. Sa i takon presidentit kemi punuar për një zgjidhje konsensuale, por opozita nuk arriti të përfshihej në këtë proces për të lehtësuar një zgjidhje të tillë. Tani për shkak të përqendrimit të shumë pushteteve ka lindur domosdomshëria e rotacionit.

Sokol Balla – Ju lutem më thoni 3 arsyet pse PD duhet të kalojë në opozitë, përvec balancimit të pushteteve, ndërsa opozita PS dhe LSi duhet të vijnë në pushtet?

Ilir Meta – Mendoj që PD dhe lidershipi i saj në këto 8 vite kanë ezauruar të gjitha mundësitë që kishin për të bërë dicka të mirë. Ka një ezaurim total në këtë drejtim, stanjacion, mospranimi  i realitetit dhe një përpjekje për ta zbukuruar atë me fjalime pafund.  Të gjitha këto po ndodhin për të përmirësuar jetën e shqiptarëve?! Duhet të mendojmë si të realizojmë një punësim konkret për qytetarët sepse është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë politika spontane që në fund krijojnë probleme më të mëdha për vendin. Situata ekonomike është shqetësuese sot dhe nuk mund të themi që kemi rritje ekonomike 2 përqind e jemi më mirë se Gjermania.

Sokol Balla – Më thatë që aksioni juaj për t’i’ bashkuar të majtës ka patur reagim pozitiv nga ndërkombëtarët…

Ilir Meta – Ndryshimi është i mirëpritur dhe absolutisht mendoj që është një gjë që do ndodhë dhe e pashmangshme dhe mendoj që pas 23 qershorit ndërkombëtarët do të kenë partnerë realistë dhe bashkëpunues.

Sokol Balla – Ju thoni që rotacioni do të ndodhë, por nëse PD del parti e parë, do bëheni pjesë e PD apo do qendroni në opozitë?

Ili Meta – Probabiliteti i kësaj ngjarje është zero. Në mënyrë të qartë zgjedhja që ka bërë LSI për të kaluar në opozitë dhe për t’u përcaktuar në një koalicion opozitar ka një angazhim të qartë që ky koalicion do vazhdojë pas zgjedhjeve, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve.

Sokol Balla – Meta, tha Rama një javë më parë këtu, nuk i ka prishur kurrë marrëveshjet. Nëse nuk i keni bërë ndonjë magji Ramës, cili është thelbi i ribashkimit tuaj me të?

Ili Meta – Një nga ndarjet themelore të LSI dhe PS është ajo që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese të 2008 që reflektuan edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe u përqendruan shumë pushtete tek kryeministri dhe u dobësuan balancat. PS ka reflektuar për këtë cështje dhe në një angazhim të përbashkët, jo për një marrëveshje 4-vjecare për marrjen e pushtetit dhe ndarjen e tij, por për një marrëveshje afatgjatë që duhet të ketë si qëllim final anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE përmes organizmimit të institucioneve, pavarësisë dhe modernizimit të tyre dhe politikave ekonomike dhe sociale që sjellin standarde në mirëqënie. Kjo do të thotë jo thjesht të marrim pushtetin që një pjesë e shqiptarëve të luftojë pjesën tjetër, jo të marrim kuvendin e t’i presim fjalën opozitës, përkundrazi do ta dëgjojmë atë, s’do ta provokojmë, ta fyejmë, ta acarojmë. Do vendosim një standard të ri bashkëpunimi mes presidentit dhe parlamentit me institucione të përbashkëta, institucione të pavarura. S’është thjesht marrëveshje pragmatiste. Të ndahemi nga tranzicioni. Kjo që po ndodh tani është rrëshqitje dhe nëse mungon reflektimi nga pala tjetër nuk do të jemi ne përgjegjës për zgjedhjet.

Sokol Balla- Nëse fitoni do merrni pjesë personalisht në kabinet?

Ilir Meta – Nuk kam patur kohë të mendoj për këtë gjë. Kjo s’është gjëja më e rëndësishme për mua dhe LSI. E rëndësishme është për ne që vendi të mbyllë këto plagë të së kaluarës dhe të ecim në rrugën e stabilitetit dhe modernizimit të institucioneve dhe gjithë shoqërisë. Kritikat ndarëse dhe konfliktuale shtojnë tranzicionin dhe na largojnë me BE.

Sokol Balla – Përcarja e të majtës ka qenë shumë e thellë dhe një nga këto ka qenë për 21 janarin. A do t’i bashkoheni qendrimit të PS për këtë cështje?

Ilir Meta – Kam dëgjuar spekulime të ndryshme në media për këtë cështje. Qendrimi ynë është i palëkundur për këtë ngjarje dhe pasojat për jetën e 4 qytetarëve. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj me forcë dhe bindje të pavarur nga politika dhe besoj që 23 qershori do ndihmojë që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Sokol Balla- Mendoni se drejtësia e dha këtë në gjyqin e gardistëve?

Ilir Meta – Kjo është një cështje në proces ndaj përderisa ka edhe akuza…por  23 qershori dhe rotacioni do t’i krijojnë mundësi drejtësisë për të thënë fjalën e saj.

Sokol Balla – Në koalicion ka edhe një kandidat për kryeministër, Rama dhe PS është e qartë në këtë pikë. Do punojë LSI me këtë qeveri?

Ilir Meta– LSI është e angazhuar për objektiva shumë më madhore se sa kjo. Ne besojmë që në ditët e ardhshme të finalizojmë këtë marrëveshje me PS pastaj kjo është cështje që u takon qytetarëve shqiptarë dhe ne nuk mbështesim dikë për t’u bërë kryeministër. E rëndësishme është që kjo frymë bashkëpunimi të zgjerohet dhe qeverisja e nesërme të jetë shumë më gjithëpërfshirëse.

Sokol Balla –  Roli konkret i LSI në kabinet nesër?

Ili Meta – LSI nuk ka këtë problem dhe shqetësim. Roli i LSI do përcaktohet nga vota që do të marrë në zgjedhje. Është normale të ketë paragjykime. LSI është e angazhuar të bëjë transparencën e qeverisjes së saj.

Sokol Balla- Gjueti shtrigash ndaj të punësuarve në administratë nga LSI?

Ilir Meta – Në momentin që dolëm në opozitë i morëm parasysh këto. Fshesa politike nuk është hera e parë që ndodh. Mesazhi im është që të gjithë ata që largohen me të padrejtë nga puna do të rikthehen më 24 qershor. Për ne më e rëndësishme është që vendi të mbyllë tranzicionin, të mbyllë përpjekjet për të përkeqësuar standardet e arritura me aq mund deri më tani. LSI nuk doli më vete. Ky ishte opsioni më i mundshëm para 1 muaji, por bindja që vendi kishte të nevojshëm këtë rotacion mendoj që nevojitetj edhe një konsumim i LSI-së në opozitë. Ky është shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vendit dhe vetë Partisë Demokratike pasi pushteti të izolon.

Sokol Balla – Kam lexuar një shkrim të zotit Panariti ku ai fliste për lista të përbashkëta PS- LSI në disa qarqe për të maksimalizuar votën e së majtës…

Ilir Meta – Ajo që mund tu them për këtë rast është bindja ime dhe se LSI është një forcë politike e cila nuk kërkon më shumë se sa meriton dhe gjithcka që kërkon e bazon tek vota dhe mbështetja dhe do të thotë që LSI do të ketë listën e saj dhe absolutisht nuk shikoj që listat e përbashkëta do sjellin maksimizimin e fitores. Cdo forcë do të maksimizojë votat e saj, mandatet e saj.

Sokol Balla – Përjashtoni mundësinë e emrave të LSI në listat e PS?

Ilir Meta – është normale. LSI është një forcë politike që ka kapacitetet e saj.

Sokol Balla – I keni imponuar emra në lista zotit Rama, psh të mos vendosë emrin e Priftit?

Ilir Meta – Është për të ardhur keq për këto reagime. Unë nuk ndërhyj në cështjet e brendshme të PS. S’kam të drejtë të vë kushte apo të pranoj kushte. Ndaj besoj se ne jemi duke realizuar një marrëveshje historike që i jep fund një periudhe të gjatë të ndarjes dhe konfliktit brenda të majtës dhe çel një perspektivë të re afatgjatë dhe strategjike ku e majta, jo thjesht PS-LSI, mund të japë më të mirën e saj për një Shqipëri europiane shumë më të denjë ku qytetarët të ndjehen të sigurtë.

Sokol Balla – A do të tentohet një shkrirje e LSI me PS?

Ilir Meta – Nuk mendoj që kjo është një cështje që është në rend të ditës apo do të jetë. Kryesore mendoj që është t’i qendrojmë fort parimeve dhe objektivave strategjike. PS-LSI janë komplementare të njëra-tjetrës.

Sokol Balla – Mendoni që koalicioni PS-LSI do të jetë mjaft për një fitore të bollshme apo prisni vagonë të tjerë?

Ilir Meta – Koalicioni duhet të jetë sa më i gjërë, jo vetëm për fitore, por sepse fryma e bashkëpunimit nuk është një frymë që duhet të jetë në kornizën që sjell LSI. Është shumë më tepër, është tek të gjitha forcat që duan të sjellin një ndryshim.

Sokol Balla – 2017 është vit magjik, pasi do kemi zgjedhje të përgjithshme, por edhe zgjedhjen e presidenitt të ri. Zgjedhja e presidentit bie pak më parë në bazë të kalendarit. Do zgjidhni një president të majtë?

Ilir Meta – Nuk është kjo sfida më e rëndësishme e së majtës. Kryesorja është që e majta duke rivendosur respektin dhe bashkëpunimin brenda vetes, përfshirjen brenda saj do t’i vendosë në gjithë shoqërinë tonë dhe të rrezatojë atë qytetari që e majta ka rrezatuar edhe në të kaluarën, sepse pushteti brutal është bërë i padurueshëm për qytetarët tanë, është i djathtë apo do të jetë i majtë. Duhet një koncept tjetër i politikës ndaj qytetarit. 

Top Channel