Shefja e diplomacisë europiane, Baronesha Catherine Ashton, takoi, të martën pasdite, liderët politik në Maqedoni, të cilëve u bëri me dije se, rruga e Shkupit drejt integrimit në Bashkimit Europian kalon përmes implementimit të “Marrëveshjes së Ohrit”, zgjidhjes së çështjes së emrit, përmbushjes së reformave dhe forcimit të dialogut politik.

“Me të gjithë liderët politik, që u takova sot, u bëra me dije se perspektiva europiane e vendit tuaj është aktuale dhe e realizueshme, por, që të ndodhë kjo, nevojitet zbatimi i vazhdueshëm i ‘Marrëveshjes së Ohrit’, fryma e saj është shumë e nevojshme. Po ashtu i inkurajova liderët politik, që t’i tejkalojnë ndarjet dhe të krijojnë frymë të re politike të bashkëpunimit. Përmes kësaj, vendi juaj do të ketë mundësi të prodhojë atë, që është shumë e nevojshme për të arritur qëllimet strategjike”, deklaroi Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme.

Sa i përket problemit 20-vjeçar, rreth emrit kushtetues të Maqedonisë, Ashton ka porositur autoritetet e Shkupit, që zgjidhja për këtë çështje të gjendet sa më parë.

“Është e nevojshme që, lidhur me bisedimet disa vjeçare rreth çështjes së emrit, të sillet një përfundim pa kurrfarë prolongimi. Jam e kënaqur që shoh, që proçesi rreth emrit, nën mbikqyrjen e OKB-së, mori ecuri të re. Inkurajoj të dyja palët, që tërësisht t’i shfrytëzojnë përpjekjet e bëra nga ndërmjetësi Metju Nimiç. Jam e vetëdijshme se kjo mund të jetë e vështirë, por nuk ekziston alternative tjetër, nuk ekziston mënyrë tjetër për të ecur përpara dhe, nëse veprohet më herët, është shumë më mirë se sa më vonë”, theksoi Catherine Ashton.

Znj. Ashton u ndal edhe te raporti i jashtëzakonshëm i Komisionit Europian për Maqedoninë, që u publikua të martën nga komisioneri Stefan Fule në Bruksel. Ajo përsëriti vëretjet e z. Fule, i cili tha se në Maqedoni nuk është shënuar progres, për sa i përket tejkalimit të krizës politike dhe dialogut me gazetarët.

Top Channel