Sulmi në Boston, Obama: Akt terrorist

16/04/2013 00:00

Ndërsa një ditë më parë nguroi të fliste për terrorizëm, presidenti amerikan, Barak Obama të martën i cilësoi sulmet në Boston “akte terroriste”, “sulme monstruoze dhe prej frikacakësh”.

“Kurdoherë që bombat përdoren për të vënë në shënjestër civilët e pafajshëm, ky do të jetë një akt terrorizmi”, tha Obama.

Presidenti amerikan tha se nuk dihet nëse përgjegjese për sulmin është një organizatë e brendshme ose e jashtme, apo individë keqbërës, as se cili ka qenë motivi. Cdo gjë tjetër, nënvizoi Obama është spekulim.

“Do të kërkojë kohë, por ne do të gjejmë cilindo që dëmtoi qytetarët tanë dhe do t’i nxjerrim ata përpara drejtësisë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Obama vlerësoi ekipet e ndihmës së shpejtë dhe të gjithë publikun që vepruan shpejt pas shpërthimeve. “Amerikanët refuzojnë të jenë të terrorizuar”, tha ai.

FBI deklaroi se nuk ekziston asnjë kërcënim tjetër për Bostonin, pas dy bombave që shpërthyen të hënën. Të paktën tre persona u vranë, mes të cilëve edhe një 8-vjecar dhe mbi 150 u plagosën.

Shpërthimi i parë ndodhi të hënën në orën 14.50 minuta me orën lokale. Disa sekonda pas tij u dëgjua dhe i dyti. Pati raportime edhe për eksplozivë të dyshimtë që u gjetën në zonë, por të martën, Guvernatori i Masacusetsit, Deval Patrik sqaroi se “vetëm dy eksplozivë u zbuluan. Të gjitha pakot e dyshimta u ekzaminuan, tha ai, dhe u zbulua se nuk ishin bomba.

Policia i ka kërkuar të gjithë të pranishmëve të dërgojnë foto dhe të bashkëpunojnë. Deri tani janë parë mijëra fotografi dhe video. Një prej historive të dhimbshme të shpërthimeve është ajo e 8-vjecarit Martin Ricard nga Bostoni, i cili humbi jetën ndërsa priste të përqafonte të atin, pasi të shkelte vijën e finishit. E ëma dhe motra e tij mbeten të plagosura.

Dhimbja për Martin e bën edhe më dramatik bilancin e shpërthimeve në Boston. Mes të plagosurve janë shumë fëmijë, me plagë në kokë dhe me gjymtyrë të dëmtuara.

Këtë vit në maratonën e Bostonit morën pjesë 23 mijë vrapues dhe evenimenti i rëndësishëm sportiv u ndoq nga qindra-mijëra spektatorë. Maratona zhvillohet në Ditën e Patriotëve, festë në Masacusets ku kujtohen betejat e para të revolucionit amerikan të vitit 1775.

Autori i sulmit?

Mes morisë së imazheve të postuara në internet, kryesisht në Facebook dhe Twitter pas shpërthimeve në Boston është edhe njëri që ndoshta ka kapur autorin e shpërthimeve.

Bëhet fjalë për një foto të shkrepur disa dhjetra metra në distancë nga vendi i shpërthimit. Fotoja ka fiksuar se në tarracën e ndërtesës ku ndodhi shpërthimi, ndodhet një person i cili në pamje të parë duket i pashqetësuar nga tronditja e godinës.

Fillimisht askush nuk mendoi se personi në tarracë mund të kishte lidhje me sulmin, por komentet nëpër rrjete sociale thanë se qetësia me të cilën personi misterioz përballon shpërthimin e parë dhe të dytin të bën të dyshosh me të drejtë.

Ky i dyshuar si autor, i veshur sportiv me një kapele mbi kokë lindi nga interneti, por sigurisht që as syrit të FBI-së nuk do t’i ketë shpëtuar. Kjo e fundit në një deklaratë për mediat, dhënë në orët e para, me orën lokale, të ditës së martë tha se ka marrë në pyetje dhjetra dëshmitarë dhe se po punon për sigurimin e provave nga vendngjarja, prova që mund të cojnë në gjurmët e autorit apo autorëve.

Agjenti special i FBI-së, Richard Deslauries tha se në vendngjarje janë dhjetra specialistë të FBI-së dhe zona vazhdon të jetë “zonë krimi” dhe me shumë gjasa, sic theksoi ai, do të mbesë e tillë edhe për disa ditë.

Guvernatori i Masacusetsit u bëri thirrje qytetarëve të Bostonit që të tregohen vigjilentë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet për të shmangur cdo rrezik tjetër, pavarësisht se më parë deklaroi që nuk ka asnjë bombë tjetër të pashpërthyer.

Top Channel