Boston, dëshmia e 78-vjeçarit

16/04/2013 22:50

Pak metra se të shkelte vijën e finish-it, ai ra në tokë si i qelluar nga një snajpër. 78-vjeçari, Bill Ifring, që vinte nga Lejk Stivens në Shtetin e Uashingtonit, u shndërrua në simbolin e ngjarjes në Boston.

I rrëzuar, me flokë të bardhë, Bill u regjistrua nga shumë kamera; ishte në tokë, i rrethuar nga tre agjentë, pak sekonda pas shpërthimit.

Fotoja e tij u cilësua si ikona e tragjedisë së Bostonit. “Gjithçka ndodhi një metër e gjysmë larg meje, – i tregoi 78-vjecari CNN-it. – Një goditje e tmerrshme. Më pas ndjeva këputjen e gjunjve dhe rashë përdhè”.

“Për një moment mendova se kishte mbërritur momenti i fundit. Po të kisha qenë një metër më afër, për mua do të kishte mbaruar. Më pas më ndihmuan të ngrihem dhe ia dola të vazhdoja. Dikush më solli edhe një karrige me rrota, por pata mundësi të prek vijën e finish-it me këmbët e mia”.

Billi, ish-druvar, nuk dorëzohet lehtë. Kjo e Bostonit ishte maratona numër 45 e jetës së tij prej atleti. Është një prej vrapuesve kryesor të moshës së tij, një ndër të paktët, që ka përfunduar katër maratona në kategorinë nga 75 në 79 vjeç.

Djali i tij, Mark, në anën tjetër të Amerikës – përmes internetit – ndiqte arritjet e të atit dhe nuk kishte kuptuar asgjë, deri në momentin kur e kishte parë të atin përmes ekranit të shtrirë në tokë.

E më pas mësoi për shëndetin e tij. Bill ia doli që, megjithëse me një gju të dëmtuar, të shkelte finish-in e maratonës së Bostonit, një eveniment që nuk do të harrohet lehtë.

Top Channel