Shefja e diplomacisë europiane Baronesha Catherine Ashton e nisi
vizitën e saj në Tiranë, një ditë pas debateve të zjarrta në Parlament,
ku maxhoranca zëvendësoi anëtarin e KQZ-së pavarësisht thirrjeve të BE-së
dhe SHBA-ve për ta ndalur këtë veprim.

Klima, të cilën Ashton viziton Shqipërinë u reflektua që në fillim të deklaratës së saj, kur u shpreh se ajo ndodhet në Tiranë një ditë pas diskutimeve të nxehta politike në Parlament, të cilat janë ndjekur me shumë vëmendje nga BE.

Ashton i rikujtoi politikës shqiptare qëndrimin e një ditë më parë të BE-së në lidhje me KQZ-në.

“Dje ne shprehëm publikisht, shqetësimin tonë për pasojat e mundshme tek besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor. Eshtë përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve dhe të bëjnë të mundur që institucionet të gëzojnë besimin e të gjithëve. Për BE-në është e një rëndësie thelbësore, që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato europiane. Ky do të jetë një test për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe ecurine e mëtejshme të progresit drejt BE-së”, u shpreh Ashton.

Catherine Ashton kishte pjesë të deklaratës së saj edhe se si duhet të vijojë sjellja e Shqipërisë në rajon.

“Që të ruhet roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, duhet që të shmanget përdorimi i diskorsit nacionalist. Eshtë e nevojshme që Shqipëria ta vazhdojë rolin e vet tradicional të një aktori të ndershëm dhe konstruktuiv në rajon. Ne kemi nevojë për ndihmën tuaj në përpjekjet tona të vazhdueshme për të patur një rajon të stabilizuar dhe për të na ndihmuar që rajoni të ecë përpara”, tha Ashton.

Baronesha Ashton u ndal edhe në proceset integruese të Shqipërisë.

“Progresi drejt BE-së është në duart tuaja. Ne kemi nevojë të shikojmë një historik të qëndrueshëm, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe luftën kundra krimit të organizuar, siç edhe është thënë në mënyrë të herëpashershme dhe së fundmi në konkluzionet e mbledhjes së Këshillit Europian në dhjetor”, tha Ashton.

Vizitën e saj njëditore në Tiranë e nisi me Presidentin Nishani, për t’u takuar më pas me Kryeministrin Berisha. Ishte parashikuar një dalje e saj së bashku me Kryeministrin në një deklaratë të përbashkët për median, e cila u anuallua. Më pas Ashton është takuar me kreun e opozitës Edi Rama.

Ashton: Politikanët të tregohen të përgjegjshëm

Ne njoftimin e bere publik nga Zyra e Presidencës, Ashton gjatë takimit me Nishanin u shpreh se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.

Nga ana e tij Presidenti Nishani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian, duke falenderuar Bashkimin Europian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit.

Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

 

Top Channel