Burimi i Ujit të Ftohtë në Vlorë  ku shpesh turistë, vizitorë të qytetit të Vlorës ndalojnë  për të shuar etjen, rezulton i ndotur.

Por shpesh ky burim shfrytëzohet edhe nga banorë të Vlorës  të cilët e konsumojnë atë në shtëpitë e tyre. Specialistë  të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë pohojnë se nga analizat e bëra uji ka rezultuar me nivel të larte ndotjeje bakteorologjike , ndaj kërkojnë që ky ujë të mos konsumohet.

“Sa i përket burimit që është në cep, ne sa herë kemi marrë analiza na kanë dalë me një ngarkesë të lartë mikrobologjike dhe sa i përket konsumimit për të pirë kemi njoftuar popullatën që të mos konsumohet”, thotë Hasan Cufaj kreu i Higjenës në DSHP e Vlorës.

Rreth 400 banesa të ndërtuara  pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë kanë ndikuar në ndotjen e ujit të këtij burimi. Mbeturinat e krijuara nga  familjet që banojnë në to depërtojnë në shtresat  ujë-mbajtëse të burimit , por edhe më e madhe  është ndotja e shkaktuar nga bagëtitë  e familjeve që kanë ndërtuar pa leje në këtë  zonë turistike.

Që prej vitit 2009 burimet e Ujit të Ftohtë në Vlorë kanë marrë statusin  “Zonë e mbrojtjes emergjente” i cili e mbron nga ndërtimet pa leje dhe detyron organet vendore të marrin masa të rrepta  për cdo investim në zonën e Ujit të Ftohtë.

Por deri më tani ky status nuk është respektuar. Ndërkohë Drejtoria e Ujësjellësit në Vlorë garanton se uji që u shpërndahet konsumatorëve nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit  nuk është i ndotur pasi klorinohet rregullisht.

“Ujin që prodhojmë e dizinfektojmë dhe  e kontrollojmë atë cdo ditë”, thotë Mimoza Majko, shefe e klorinimit  në Drejtorinë e Ujësjellësit të Vlorës.

Sipas specialistëve ndotja e burimit tek Uji i Ftohtë në Vlorë është kërcënim serioz për shëndetin konsumatorëve në Vlorë, aq më tepër kur jemi në prag të sezonit  turistik gjatë të cilit qyteti bregdetar mbipopullohet.

Top Channel