Apeli lehtëson pozitat e kreut të OMONIA-s

12/04/2013 00:00

Gjykata e Apelit në Korçë ka lehtësuar pozitën e kreut të OMONIA-s, Naum
Disho, duke u bazuar në një akt ekspertimi, ku deklarohet se “nuk ka
ndonjë ndërtim urbanistik, që dhunon varret e Boboshticës”.

Kjo është vënë re edhe nga prokurori i çështjes, i cili ka kërkuar të paraqesë prova të reja për çështjen e dhunimit të varreve, por që kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjykata.

Gjyqi dhe akti

Gjatë seancës gjyqësore të radhës, që u zhvillua dje, u paraqit një akt-ekspertimi i kërkuar nga vetë prokuroria, në bazë të të cilit mbetet të vlerësohet nëse ka pasur ose jo dhunim për shkak të ndërtimit të një platforme betoni në truallin e varrezave të tjetra të fshatit Boboshticë. Pikërisht ky akt ekspertimi lehtëson pozitën e kreut të OMONIA-s, pasi konkluzioni i tij është se nuk ka ndonjë ndërtim urbanistik që mund të konsiderohet si dhunim i varreve. Nisur nga kjo provë e sjellë në proces, përfaqësuesi i akuzës kërkoi që të sillen prova të tjera, duke mos i konsideruar si të mjaftueshme provat e materialet e deritanishme. Por, kjo kërkesë nuk u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi që të mos sillen prova të reja. Në këtë seancë, ashtu si edhe në ato më parë, nuk ishte i pranishëm Naum Disho, por vetëm dy punëtorët Alqi Koroveshi e Luan Zaçe, që kanë kryer punimet e kërkuara nga kreu i OMONIA-s.

Në lidhje me aktin e ekspertimit, ka qenë vetë prokurorja e Apelit, Roza Qirjazi, e cila ka kërkuar caktimin e një eksperti urbanist, i cili do të përcaktonte nëse ndërtimi i platformës prej betoni dhe shkallëve të memorialit të ushtarëve grekë, quhet ndërtim, në kuptim të ligjit të urbanistikës, si dhe të përcaktohej nëse kjo sipërfaqe, quhet ose jo varrezë. Gjykata pati pranuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar dy ekspertë të fushës, të cilët do të përcaktonin llojin e tokës mbi të cilën u krye ndërtimi dhe nëse kjo sipërfaqe figuronte në ZRPP—në e Korçës, në pronësi të kishës dhe nëse është regjistruar si varrezë.

Disho është dënuar një herë nga Gjykata e Apelit në Korçë me një vit heqje lirie me akuzën e dhunimit të varreve, por ndërsa ai qëndroi i fshehur për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit, Gjykata e Lartë e rikthehu çështjen për gjykim në Apelin e Korçës, me argumentin se procesi kishte pasur shkelje. Tashmë, Disho nuk figuron më në listën e personave të kërkuar dhe është në pritje të një tjetër vendimi nga Apeli i Korçës për akuzën që ngrihet ndaj tij, që mbetet ajo e dhunimit të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë, por që siç duken faktet, pozita e tij është lehtësuar me aktin e ekspertimit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel