Protesta e çamëve për Rezolutën

11/04/2013 00:00

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe shoqata ‘Çamëria’ organizuan një
protestë energjike, plot entuziazëm,  përpara Parlamentit nga ku kanë
kërkuar t’i jepet fund nga parlamenti zvarritjes për miratimin e
Rezolutës çame.

Nën ovacione të forta “Çamëria është e jona” dhe “E duam Çamërinë”, kreu PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë duhet të çlirohet nga presioni grek dhe të marrë në shqyrtim Rezolutën çame, me qëllim kthimin e dinjiteti të shqiptarëve.

“Ne jemi pas 9 vjetëve para këtij parlamenti, por jemi komplet ndryshe, sepse ne kemi ardhur sot që ta çlirojmë Parlamentin e shqiptarëve nga presioni i Greqisë. Parlamenti shqiptar është nën presionin e Greqisë dhe ne sot kemi ardhur ta rrethojmë me presionin e shqiptarëve. Ju e dini, që grekët janë të famshëm për Kalin e Trojës, prandaj unë ju bëj thirrje të gjithëve bashkë, ta nxjerrim Kalin e Trojës nga Parlamenti shqiptar. Partitë e mëdha po hynë në garë për miratimin e projektrezolutës. Ata që e votuan atëherë dhe e fshehën për tetë vjet, sot na e paraqesin ne përpara. Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë nevojë për konfirmim, por që ajo rezolutë, nëqoftëse është e miratuar të hyjë në Fletoren Zyrtare dhe të marrë fuqi ligjore”, tha Idrizi.

Protestës iu bashkuan edhe veprimtari cështjes kombëtare Adem Demaci së bashku me deputeten e Parlamentit të Kosovës, zonjën Flora Brovina, të cilët theksuan se çamët nuk duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre dhe se kjo është një çështje që nuk duhet të mbetët vetëm në kuadrin e miratimit të një rezolutë nga Parlamenti, por të dërgohet po ashtu në Parlamentin Europian.

Top Channel