Armë për Gadafin, OKB-ja heton Shqipërinë

11/04/2013 00:00

Shqipëria përmendet në një raport të OKB-së si vend që dyshohet se ka
thyer embargon e armëve të vitit 2011 për regjimin e diktatorit të
vdekur libian, Muamar Gadafi.

Raporti citohet nga një artikull i “Asociated Press”, një pjesë të të cilit mund ta lexoni më poshtë:

Armët libaneze po shpërndahen me ritëm alarmant në territore të reja në perëndim të Afrikës dhe në Mesdheun Lindor, përfshirë këtu Sirinë dhe Rripin e Gazës, ku po nxiten konfliktet dhe po rriten arsenalet e grupeve të armatosura dhe terroristëve, shprehet një kolegj i OKB-së.

Në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të hartuar këtë të martë, kolegji shprehet se rastet e kalimit të paligjshëm të armëve, që bien ndesh me embargon e Kombeve të Bashkuara, janë tashmë të provuara dhe po hetohen në mbi 12 shtete. Këtu përfshihen armatime të rënda, si sisteme të mbrojtjes ajrore, eksplozivë, mina dhe armë të tjera më të lehta.

Që prej kryengritjes që rrëzoi Muamar Gadafin në vitin 2011, kolegji u shpreh se “Libia këto dy vitet e fundit është kthyer në një burim të rëndësishëm dhe tërheqës të armëve në rajon.”

Flitet se civilët dhe militarët mbajnë nën kontroll shumicën e armëve në Libi dhe shtohet se “mungesa e një sistemi efektiv të sigurisë, mbetet një nga pengesat kryesore për furnizimin me armë të ushtrisë dhe kontrollit të kufijve.”

“Në këta 12 muajt e fundit, përhapja e armëve nga Libia është shtuar në një shkallë shqetësuese, duke u zgjeruar edhe në territore të reja, si Afrika Perëndimore, Levanti dhe potencialisht edhe në gadishullin Somalez”, shprehet kolegji.

“Flukset e paligjshme të ardhura nga Libia po nxisin edhe më tej konfliktet në Afrikë, duke pasuruar edhe arsenalin e armëve të faktorëve joshtetërorë, siç janë grupet terroriste.”

Pesë ekspertët e kolegjit bënë 28 vizita në 15 shtete të Afrikës, Europës dhe Lindjes së Mesme, përfshirë këtu edhe 10 vizita në Libi.

Raporti përbëhet nga 94 faqe dhe përmban detaje mbi çështje të trafikimit të armëve, të cilat shkelin embargon e vendosur në vitin 2011, qëllimi i së cilës është të gjurmojë pasuritë e individëve dhe grupeve të lidhura me Gadafin dhe regjimin e tij, të cilat janë përfshirë në listën e zezë të OKB-së.

Kolegji tha se shqyrtoi provat e dërgimit të armëve dhe municioneve nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbështetur revolucionarët kundër Gadafit gjatë kryengritjes dhe mendon se të dyja këto vende kanë shkelur embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja. Nga ana tjetër, Katari e mohon të ketë transferuar çdo material ushtarak.

Raporti përmendi një rast të transferimit të armëve në Libi, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Armeninë, Shqipërinë e Ukrainën dhe një rast të veçantë që përfshin Sudanin. U raportua edhe transferimi i një avioni të telekomanduar në Liban nga një kompani kanadeze, të cilën autoritetet vendase shprehen se po e hetojnë.

Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit zbuti sanksionet ndaj qeverisë libaneze për armët jovdekjeprurëse, por paralajmëroi se vendi është i mbushur me armë të jashtëligjshme.

Kolegji tha se disponueshmëria gjithnjë e në rritje e armëve në Libi ka fuqizuar faktorët joshtetërorë të lidhur me konflikte kundër autoriteteve qeveritare dhe shprehu gjithashtu shqetësimin se grupet e armatosura ekstremiste, të cilat janë të financuara shumë mirë, po forcojnë gjithnjë e më shumë pozicionin e tyre.

Gazeta “Shqip”

Top Channel