Rama: Bashkim ekonomik me Kosovën

10/04/2013 18:00

Në konferencën e Elbasanit, kryesocialisti Edi Rama pati në fokus papunësinë, e cila siç tha ai po i merr frymën shoqërisë shqiptare.

Duke iu referuar shifrave të INSTAT, të cilat siç tha lideri i opozitës më pas u manipuluan, por edhe shifrave të Bankës së Shqipërisë, zoti Rama bëri një ekspoze të gjendjes alarmante që numëron 1 milionë të papunë. Kryesocialisti hodhi poshtë edhe ato që i quajti manipulime të qeverisë me rritjen e pagave.

“Në raportin e BSH thuhet: mbështetur mbi të dhënat e statistikave afatshkurtra, treguesi i pagës mesatare në ekonomi shënoi një rënie vjetore me 7 për qind, gjatë 3 muajve të parë të vitit. Paga reale e shqiptarëve ra me 9.4 për qind krahasuar me 2012-ën. Pra, paga e shqiptarëve është 10 për qind më e ulët krahasuar me fuqinë blerëse të tyre”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, një element i veçantë i kapitullit ishte edhe ai që synon, sipas Edi Ramës, një rritje të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, duke krijuar siç tha ai një hapësirë më të gjerë shqiptare.

“Nëse ne arrijmë ta shohim që bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë nuk është një fakt i kryer kur kemi një qeveri të përbashkët dhe një mbret për të dyja anët, por është një vizion i së ardhmes që quhet i kryer kur hapësirën ku jetojmë e shfrytëzojmë për aktivitete ekonomike, kulturore e shpirtërore të këtij kombi të ndarë në dy shtete. Kjo është kultura e BE-së dhe rrugëtimi ynë drejt BE-së”, nënvizoi Rama.

Ndryshimi i sistemit te taksimit per biznesin e vogel ishte nje tjeter pike qe u rradhit nga kryesocialisti si thelbesore ne kapitullin ekonomik.

Top Channel