Protestë kundër dhunës së policisë

10/04/2013 00:00

Gazetarë nga të gjitha mediat, analistë, drejtues të organizatave jo
qeveritare, deputetë dhe qytetarë protestuan në afërsi të Kryeministrisë
pas dhunimit të operatorit të Top Channel Gent Ballta nga
zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Pak përpara nisjes së protestës vetë Erzen Breçani, tashmë i pezulluar nga detyra, ka qëndruar për pak minuta në vendin ku do të protestohej duke shtrënguar duart me operatorët dhe gazetarët. Ndoshta si një shenjë pendese apo intimidimi ndaj njerëzve të medias.

Njëzëri komuniteti i gazetarëve ka dënuar aktin e dhunimit të kolegut të Top Channel nga ky zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit i cili në vend të mbrojë gazetarët në detyrë i dhunon ata.

Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve kërkoi që çdo njeri i veshur me pushtet të mos guxojë të verë dorë ndaj gazetarëve që janë në mision të informimit publik.

“Unioni i Gazetarëve përkrah të gjithë ata kolegë që kërkojnë ndihmë dhe janë në misionin e zbulimit të të vërtetave”, tha Çipa.

Pozicioni i policise se Tiranes ka qene me shume se i turpshem duke mohuar cdo pergjegjesi e duke justifikuar dhunen, qe ra mbi operatorin e Top Channel, por kushdo neser mund te jete pre e arrogances dhe abuzimit, jo thjesht nje gazetar, por cdo qytetar i thjeshte i ketij vendi, qe shpreson te shohe tek uniformat blu mbrojtesit e sigurise dhe jo abuzuesit dhe dhunuesit.

Dhuna ndaj operatorit të TCH, pezullohet Breçani

Policia e Shtetit njoftoi të martën në mbrëmje se është pezulluar nga detyra zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranes, Erzen Breçani, pasi dhunoi dy ditë më parë kameramanin e Top Channel, Gent Ballta.

Sipas një njoftimi për shtyp të zëdhënëses Laura Totraku, thuhet se “Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni Top Channel, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra, ndaj zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, z. Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore”.

Kjo masë vjen vetëm pas presionit mediatik dhe atij të opinionit publik, pasi Policia e Shtetit në fillim heshti, për ngjarjen e rëndë, dhe më pas reagoi duke thënë se nuk do të merrte masa, pasi nuk ishte ushtruar dhunë ndaj kameramanit të Top Channel.

Top Channel iu drejtua, me anë të një letre, ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe për dijeni kryeministrit Sali Berisha, ku shprehu protestën për ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e operatorit nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, për më tepër brenda në ambientet e Komisariatit numër 1.

Top Channel