Largimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar ka vendosur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në fokus të zhvillimeve të forta politike.

LSI-ja përfaqësohej në këtë institucion me një anëtar, si parti e koalicionit qeverisës, por me daljen e saj në opozitë, Partia Demokratike mblodhi komisionin e ligjeve për ta liruar anëtarin, me argumentin se është prishur balanca politike, që është shtylla kurrizore e proçesit zgjedhor.

“Pa këtë shtyllë kurrizore, jo vetëm që nuk sigurohet zbatimi i parimeve, por cënohet ecuria e zgjedhjeve. Kjo situatë paligjshmërie pritet të zgjidhet”, deklaroi deputeti demokrat Gent Strazimiri.

Por Partia Socialiste nuk gjen asnjë bazë ligjore në kërkesën e demokratëve, duke e konsideruar atë ndërprerje të paligjshme të mandatit të një anëtari të KQZ-së.

Socialistët akuzuan demokratët se po bëjnë përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve, akuzë të cilën demokratët e cilësuan si propagandë partiake, për të mbuluar sipas tyre planin e Edi Ramës për kontrollin mbi zgjedhjet.

“Ju nuk po e shkarkoni anëtarin, por po e largoni në mënyrë të dhunshme. Rezultati më i rrezikshëm i këtij veprimi është preçedenti që krijon. PS kur të vijë në pushtet nesër do ta fshijë KQZ-në, sepse kjo është psikologjia juaj. Por, kush luan me vullnetin e popullit, luan me jetën e tij”, deklaroi deputeti i PS, Fatmir Xhafaj.

“Marrëveshja juaj ishte që me LDI-në do marrim kontrollin e KQZ-së. Kjo ju çon vetëm tek manipulimi, dhuna dhe arbitrariteti. Të gjitha këto janë armike të proçesit zgjedhor”, replikoi kryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali.

LSI-ja u përfaqësua në komisionin e ligjeve me deputetin Nasip Naço, i cili ishte surpriza tjetër e mbledhjes. Jo se nuk mbajti të njëjtin qëndrim me socialistët për paligjshmërinë e vendimit dhe as sepse vlerësoi si të frytshme dhe korrekte marrëdhënien e deritanishme me demokratët.

“Sigurisht që vendimi është i paligjshëm, por unë nuk përdor të njëjtat tone si zoti Xhafaj dhe zoti Gjiknuri, sepse unë jam përfaqësues i LSI-së. Ju mund ta shkelni sot ligjin, por ne prapë do të jemi këtu pas 23 qershorit dhe nuk do të bëjmë siç thotë zoti Xhafaj, që meqë po e shkelni ju sot ligjin, do ta shkelim dhe ne. LSI nuk është si ju”, tha Naço.

Po pse është e qetë LSI edhe pse përfaqësuesi i saj në KQZ u largua? A do ta dërgojë PS çështjen në Gjykatën Kushtetuese apo, njësoj si PD, ajo do të kërkojë zëvendësimin e PBDNJ-së në KQZ me anëtarin e LSI-së?

Për këto opsione nuk ka ende një vendim. Deri tani i vetmi vendim, edhe pse i diskutueshëm ligjërisht, është ai i mazhorancës në komisionin e ligjeve, që zëvendësoi anëtarin e LSI-së në KQZ me një përfaqësues të Partisë Republikane, që me gjasë do të jetë ish-anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.

Berisha: Rama synonte përmbysjen e KQZ

Lëvizjet e fundit në radhët e KQZ-së kanë qenë në fokus të një takimi që kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës me krerët e PD në rrethe.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka deklaruar se, zbatimi i marrëveshjeve është jetik dhe ka nënvizuar se, aleanca PS-LSI kishte si qëllim përmbysjen e ekuilibrave në KQZ.

“Parim themelor i raporteve ka qenë dhe mbetet respektimi i marrëveshjeve. Është vendosur që KQZ do të jetë e balancuar, qeveria shumicë me raportin 4-3. Qëllimi i Ramës ishte përmbysja e mazhorancës në KQZ”, ka thënë Berisha.

LSI letër ambasadorëve: PD po politizon KQZ-në

LSI i dërgoi mbrëmjen e së mërkurës një letër trojkës së ambasadorëve, ku shpreh doza të forta shqetësimi për iniciativën e PD-së me zëvëndësimin e LSI-së në KQZ.

Në përmbajtje të kësaj letre thuhet se, LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese, e cila politizon hapur KQZ-në dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në proçesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013.

“Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në komisione të niveleve të tjera. LSI do të reagojë politikisht dhe në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm dhe shqetësues politik”, thuhet në letër.

“Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ-së dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për kompromentimin dhe manipulimin e proçesit zgjedhor”, vijon më tej mesazhi.

Manjani: Jo ndryshime në KQZ

Më herët reagoi menjëherë LSI duke deklaruar se, kush prek KQZ-në, ka prekur zgjedhjet dhe standardin e tyre. Përmes sekretarit për Çeshtjet Zgjedhore, Ylli Manjani, LSI sqaroi se riformatimi i KQZ-së, sipas ligjit, duhet të bëhet vetëm në tetor të vitit 2015.

“KQZ është standardi numër një i garancisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Tendenca për ta politizuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe tendenca për ta ndryshuar përbërjen e tij është padiskutim një standard i cënuar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. KQZ funksionon mbi bazën e Kodit Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike duhet vetëm të zbatojnë Kodin Zgjedhor. Do të ketë kohë për debate politike kur të ndërtohen komisionet e nivelit të dytë”, tha Manjani.

Rama akuzon Berishën për rrënimin e institucionit dhe zgjedhjeve

Zhvillimet e fundit që lidhen me riformatimin e KQZ-së, pas krijimit të koalicionit PS-LSI, janë komentuar edhe nga kreu i opozitës Edi Rama, nëpërmjet dy mesazheve të postuara në rrjetin social Twitter.

“Asgë s’e shpëton pushtetin e partisë familjare te Saliut”, thotë Rama i cili, duke iu drejtuar posaçërisht Kryeministrit Berisha, e paralajmëron atë se: “prekja e KQZ-së rrënon edhe më shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit”. 

Sipas Edi Ramës, “prekja e KQZ me dhunë antikushtetuese tregon se ç’regjim do të shporrim në 23 qershor”. Rama e shikon cdo veprim për të ndryshuar KQZ-në si një shënjë paniku që ka mbërthyer Kryeministrin Berisha, i cili sipas kryesocialistit ndodhet në vetminë e madhe.

PBDNJ: Tension i situatës parazgjedhore

Edhe PBDNJ kërkoi respektimin e mandatit të anëtarit të saj në KQZ dhe tha se situata parazgjedhore po tensinohet.

“Ne, jo vetëm dënojmë ashpër këtë preçedent, por kërkojmë ndërprerjen e këtyre proçedurave. Vazhdimi i tyre cënon seriozisht zgjedhjet e 23 qershorit”, deklaroi PBDNJ. 

Top Channel